Qeveria Hoti heq reciprocitetin me Serbinë
Qeveria Hoti ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur vendim të rëndësishëm heqjen e reciprocitetit. Ai në një konferencë për media ka thënë se presin që edhe pala serbe t’i heq pengesat në mënyrë që t’i lihet rrugë vazhdimit të dialogut.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heq të gjitha pengesat por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Hoti ka deklaruar se pas heqjes së pengesave do të ulen në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se këto vendime i kanë marrë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Zotimet që i kemi marrë janë që t’i heqim pengesat e dialogut. Edhe ambasadorit amerikan dje ia konfirmova këtë vullnet. Janë hequr të gjitha pendesat për një periudhë kohore. Nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritura ne ruajmë të drejtën për të vendosur sërish”.
Hoti ka deklaruar se vendimet që janë marrë sot, hyjnë në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi kanë votuar përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri.
Ishte Qeveria Kurti që kishte zëvendësuar taksën me reciprocitet ndaj Serbisë.
Reciprociteti kishte nisur së aplikuari më 1 prill në formë graduale.
Derisa më 29 maj Qeveria Kurti kishte ashpërsuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke detyruar shtetin fqinj që të përdorë emrin “Republika e Kosovës”.
Asnjë maune nuk ishte lejuar të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuronte: Republika e Kosovës.