Eliza Hoxha propozon Komision për hetimin e menaxhimit të pandemisë nga Qeveria Kurti
Deputetja Eliza Hoxha bashkë me disa deputetë të tjerë i kanë paraqitur Kryesisë së Kuvendit propozimin për themelimin e Komisionit Hetim Parlamentar me objekt hetimi menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti.
“Ky komision objekt hetimi do t’i ketë çështje si në vijim: hetim parlamentar sa i përket menaxhimit të pandemisë së Covid-19 nga ana e Qeverisë si bartëse kryesore e përgjegjësisë për menaxhimin e përgjithshëm të pandemisë, përkatësisht hetimin e vendimmarrjes që nga koha e pandemisë e deri në kohën e parashtrimit të kërkesës në Kuvend”.
“Në ndriçimin e fakteve, konstatimit dhe përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve me qëllim të informimit me atë se çka ka ndodhur dhe çka jo nga ekzekutivi i kaluar, të përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë me qëllim të ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare dhe arritjes së një përfundimi në pajtim me legjislacionin në fuqi”.
“Ne deputetët parashtrues të kësaj kërkese me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, që qeveria një pjesë e saj, nuk ka hartuar ndonjë plan konkret, por ka marrë vendim ad hoc në varësi të ngjarjeve”.
Hoxha tha se Qeveria e kaluar ka shkelë Kushtetutën dhe ka shkelë të drejtat themelore të njeriut me kufizimin e lirisë.