Tahiri: Pas shkarkimit të Qeverisë së Stagnimit, sot u votua Qeveria e Status Quo-së
Tahiri ka thënë se Qeveria Hoti nuk është e aftë për t’u bërë ballë sfidave që e presin Kosovën.
“Pas shkarkimit të Qeverisë së Stagnimit, sot u votua Qeveria e Status Quo-së. Rrethanat e pandemisë që mundësuan devalvimin e institucioneve nga Albin Kurti, sot po e mundësojnë zgjatjen e këtij devalvimi nga LDK. Nga një Qeveri e integruar nën urdhrat e një njeriu arbitrar, në një Qeveri të dezintegruar nën urdhrat e hisedarëve të saj. Prej një kryeministri arrogant në uzurpim e keqqeverisje, në një kryeministër të pafuqishëm. Kjo Qeveri nuk është e aftë për t’u bërë ballë sfidave që e presin Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.
Deputeti ka shtuar më tej se qytetarët meritojnë zotimin për demokraci, zhvillim e barazi dhe se PDK po punon për këtë.
“Gjithsesi, PDK do jetë opozitë përballë kësaj Status Quo-je, siç ishte opozitë përballë rënies së demokracisë nën diktatin e Albin Kurtit. Qytetarët meritojnë zotimin tonë për demokraci, zhvillim e barazi. Partia Demokratike e Kosovës po punon dhe do të punojë për ta bërë këtë të mundur sa më parë”.
Ndryshe, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim sot në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria Hoti.