Vetëvendosja dhe PDK-ja shprehen rreth dyshimeve për llogaritjen e votave në votimin e Qeverisë Hoti
Kosova sot u bë me Qeveri të re. LDK-AAK-Nisma dhe Lista Serbe janë pjesë e Qeverisë së re e cila u zgjodh sot më Kuvend me 61 vota pro.
Por në shoqërinë civile kanë ngritur dyshime që në të vërtetë ishin më pak se 61 vota që votuan pro Qeverisë Hoti.
Analisti politik, Blerim Vela, ka hedhur dyshime mbi numrin e deputetëve që kanë votuar qeverinë Hoti sot në Kuvend.
Ai ka thënë se rezultati i deklaruar nga kryesuesi i seancës nuk ishte i saktë për një arsye.
“Kryesuesi njoftoi se ishin 86 vota total nga te cilat 61 vota per, 24 kunder dhe 1 abstenim”, ka shkruajtur Vela.
Donika Kadaj-Bujupi në një prononcim për media tha se nuk votoi pro Qeverisë Hoti.
Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se momentalisht po merren me faktimin e kësaj çështjeje, pasi që janë ngritur dyshime.
“Jemi duke u marrë me këtë çështje momentalisht, për pak do ta faktojmë këtë. Për pak faktohet kjo punë. Ne po e rishikojmë edhe njëherë çështjen e votimit pasi që janë ngritur pakënaqësi. Ne do t’i shohim nga afër dhe me qetësi do t’i verifikojmë”, tha Selimi për FaktePlus.
Ndërkohë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se kjo është çështje e administratës. Ai thotë se nuk beson që administrate ka gabuar në një gjë të tillë, pasi e konsideron shumë profesionale.
“S’është përgjegjësi e jemja me i kqyr qysh kanë votu. Për vet e di që kam votu e për tjerët jo. S’konsideroj që ka pasë gabim sepse administrata e Kuvendit është shumë profesionale dhe apartiake e nuk i interesojnë kalkulimet politike. Administrata e Kuvendit është shumë profesionale dhe ka besueshmëri, e kanë dëshmu vendin që janë të paanshëm deri sot. E pashë që me ni postim thuhej që Donika ka abstenu, Donika nuk ka votu por e ka lëshu Kuvendin dhe s’ka qenë aty fare”, ka thënë Haxhiu për FaktePlus.
Edhe analisti Rasim Alija konsideron se adminstrata e sidomos kryesuesi i seancës së sotme, nuk mund të kenë bërë gabim për një çështje si votimi i Qeverisë. Alija për FaktePlus thotë se i mbetet adminsitratës ta rishikojë çështjen e votimit.
Por sipas tij, kjo mund të jetë çështje për konsum të publikut.
“Mund të jenë gjëra për konsum të publikut dhe gjëra që analistat në kohë të caktume i përdorin për t’u bërë pjesë e lajmeve dhe titujve në portale”, u shpreh Alija.
FaktePlus ka provuar të kontaktojë edhe me administratën e Kuvendit dhe Fatmir Rexhepin e LDK-së, por nuk ka pasur qasje.