Abazi tregon “marrëveshjen Abrashi-Gjuriq”: Lista Serbe merr zv/kryeministrin, zv/komandën e FSK-së e pozita tjera të rëndësishme
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se marrëveshja e LDK-së me Listën Serbe po mbahet sekret, për shkakun se kësaj partie politike do t’i poste të rëndësishme në Qeveri, dukë përfshirë zëvendëskryeministrin.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas marrëveshjes Lista Serbe do të ketë zëvendëskryeministrin, zëvendësdrejtorin e AKI-së, zëvendëskomandantin e FSK-së, zëvendësambasadorin në SHBA tre zëvendësministra dhe disa poste të tjera.
Postimi i plotë i Abazit:
“Marrevëveshja e negociuar mes Djuric dhe Abrashi të LDK që nuk po publikohet, ja pse, Lista Srpska merr:
Zëvendëskryeministrin
Zëvendesdrejtorin e AKI
Zëvendëskomandën e FSK
Zëvendësambasadorin e Kosovës në SHBA
Veto të drejtën për vendim- marrje në FSK, AKI, Diplomaci dhe Polici
Zëvendësministër të Ekonomisë me veto në shitjen e aseteve
Zv. Minstër në Arsim
Zv. Minister në Shëndetësi” (sic.), ka shkruar Abazi.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar sot emrat e ministrave të rinj në qeverinë e re, për të cilën pritet të votohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, duke folur pas mbledhjes së kryesië së LDK-së, ka thënë se ka pasur pajtim të plotë për emrat e ministrave.
“Driton Selmanaj për zëvendëskryeministër nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami si ministre e Financave, Besjan Mustafa si ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Anton Çuni mbetet si ministër i Mbrojtjes, Arban Abrashi si ministër të Infrastrukturës, Agim Veliu si ministër i Brendshëm dhe Armend Zemaj si ministër i Shëndetësisë”, ka deklaruar Hoti.