Aliu: Në LVV nuk pati vendim, por kishte një disponim që Murat Jashari të jetë kryeministër konsensual
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka folur për idenë që Murat Jashari të jetë kryeministër konsensual.
Aliu thotë se gjatë mbledhjes së Kryesisë së LVV-së kishte një disponim të mirë që Murat Jashari të jetë në krye të një qeverie tranzitore.
“Nuk pati ndonjë vendim për këtë gjë por unë dhashë deklaratën duke parë edhe disponimin brenda LVV-së”.
“Ideja që të ketë një qeveri tranzitore që do t’i bashkonte palët është ide e mirë e sidomos duke pasur parasysh se Murat Jashari do të kishte edhe autoritetin moral. Ai do të ishte figura më e përshtatshme e mundshme pasi vjen nga familja Jashari dhe është apartiak”, tha ai.
Deputeti i LVV-së në TV Dukagjini thotë se Murat Jashari do të ishte i pranuar nga të gjithë dhe do të ishte garanci për këtë periudhë tranzitore.
Aliu thotë se nuk kanë komunikuar me Murat Jasharin për këtë propozim por thotë se e shohin si figurë unifikuese në këtë situatë të tensionuar të vendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se qeveria e tillë do të përcaktohej pas bisedave mes partive politike.
“Nuk them se kjo qeveri duhej apo jo të kishte ministra partiakë, por do të përcaktohej pas bisedave mes subjekteve politike”, tha ndër të tjera Liburn Aliu.