Trupat e të vdekurve në minierën e Artanës nuk janë nxjerrë ende
Që nga paraditja është duke vazhduar misioni për nxjerrjen e trupave të dy punëtorëve të minierës së Artanës, që sot gjatë ditës kanë ndërruar jetë në rrethana tragjike.
U.d. i kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës, Hysen Vrajolli ka thënë se janë duke bërë ende përpjekje për nxjerrjen e trupave.
“Jemi duke u bë përpjekje, presim që shumë shpejtë që kjo të kryhet, tjerë të lënduar dhe të ngujuar në minierë nuk kemi”, ka thënë ai.
I njëjti thotë se është një shkëmb i madh që duhet të thehet, por, fillimisht po tentojnë të sigurojnë vend punishten.
“Do të nxirren nuk e di për sa orë, ekipet po e bëjnë të pamundurën, është një shkëmb mjaft i madh që duhet të thehet duhet të sigurohet më së pari vend punishtja, për disa orë do të nxjerrën, nuk e dimë saktë”, shtoi ai për T7.
Vrajolli ka bërë të ditur se momentalisht në misionin e kërkimit janë të angazhuar ekipet e shpëtimit të minierës dhe FSK-ja.
“Situata ka ndodhë paradite, është shemb papritmas një pjesë. Gjendja e minatorëve tjerë është e mirë, s’kanë pasur lëndime dhe asnjë problem”, ka thënë ai.