5 rastet me koronavirus nga Podujeva – 4 e morën virusin nga një rast nga Prishtina, njëri erdhi nga Austria
Nga 27 rastet e reja me koronavirus në Kosovë, 5 raste vijnë nga komuna e Podujevës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj komune, Nexhmi Rudari ka bërë të ditur se katër raste janë raste kontakti nga një familje e fshatit Dobërdol me një person të infektuar nga komuna e Prishtinës, kurse një i prekur tjetër ka ardhur para dy ditësh nga Austria.
Sipas Rudarit, gjendja e tyre është stabile, përcjell FaktePlus.
Tutje, Rudari përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka apeluar për kujdes.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sonte janë konfirmuar pesë raste të reja me Covid19 në komunën tonë.
Katër raste janë nga një familje e fshatit Dobërdol dhe burimi i infeksionit është kontakti me një person nga Komuna e Prishtinës, kurse rasti i pestë është një qytetar i Podujevës, i cili dy ditë më parë ka ardhur nga Austria.
Të gjithë pacientët janë me gjendje shëndetësore stabile, ndërsa konform situatës së krijuar Shtabi Emergjent lokal do të ndërmarr veprimet e nevojshme.
Këto raste vijnë pas gati një muaj e gjysmë, që nuk kishim asnjë rast me këtë virus dhe kur tetë persona të infektuar u shëruan.
Pavarësisht se nga sot kemi hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, rastet e sotme tregojnë se virusi Covid 19 vazhdon të jetë i pranishëm.
Qytetarë të dashur, bëni kujdes!