Gashi: LDK në pritje të vendimit të Kushtetueses, tjerat çështje minutash
Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se janë në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur se a do të mblidhet sot Kryesia e këtij subjekti politik për të vendosur për emrat e ministrave, Gashi ka thënë se pas vendimit të plotë nga ana e Kushtetueses, të gjitha tjerat janë çështje minutash.
“Ne jemi në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Sapo të vijë vendimi, të gjitha tjerat janë çështje minutash që do të konfirmohen. Procesi vendimmarrës ka mbetur peng i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese i cili ende nuk ka arritur në Kuvend”, tha ai.