Një kamion me mallra serbe s’lejohet të hyjë në Kosovë
Nga Merdarja, të dielen në mëngjes, nuk është lejuar të hyjë në Kosovë një kamion me mallra nga Serbia, në kuadër të zbatimit të reciprocitetit, të miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës, ka raportuar të dielen televizioni shtetëror serb.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur me zbatimin e reciprocitetit për mallrat serbe, teksa ka vlerësuar se barrierat e Serbisë vazhdojnë të dëmtojnë importuesit dhe eksportuesit në Kosovë, duke i shkaktuar deficit tregtar Kosovës.
Sipas vendimit të Qeverisë, në raportet tregtare me ndërmarrjet serbe, ndalohet dokumentacioni rreth produkteve bujqësore dhe industriale në të cilin nuk përdoret emri “Republika e Kosovës”.
“Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.