Reagon Joe Biden: Të protestosh kundër këtij brutaliteti është e drejtë dhe e nevojshme
Kandidati për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike dhe ish-nënpresidenti i këtij shteti, Joe Biden, ka reaguar përmes një deklarate pas protestave të dhunshme që kanë shpërthyer në shumë qytete amerikane.
Ai ka thënë se kombi amerikan është i zemëruar ndaj padrejtësisë dhe se të protestosh kundër brutalitetit është e drejtë dhe e nevojshme. Megjithatë, ai nuk e ka përkrahur dhunën në protesta, transmeton Gazeta Express.
“Protesta është një reagim tërësisht amerikan, por djegiet dhe shkatërrimi i panevojshëm nuk janë të tilla. As dhuna që e vë në rrezik jetën e njerëzve nuk është”, thuhet në letrën e ish-nënpresidentit amerikan gjatë mandatit të Obamës.
We are a nation in pain, but we must not allow this pain to destroy us. We are a nation enraged, but we cannot allow our rage to consume us. Please stay safe. Please take care of each other. https://t.co/Y224rANwUF
— Joe Biden (@JoeBiden) May 31, 2020
“Ne jemi një komb në dhimbje, por nuk duhet të lejojmë që kjo dhimbje të na shkatërrojë. Jemi një komb i zemëruar, por nuk mund të lejojmë që zemërimi ynë të na konsumojë. Ju lus të qëndroni të sigurt. Ju lus të kujdeseni për njëri-tjetrin”, thuhet më tej në deklaratë.
Tutje, politikani i njohur amerikan premtoi se nëse bëhet president, do t’i dëgjojë problemet e popullit. “Ne duhet dhe do të arrijmë në një vend ku secili, pavarësisht racës, beson se për të mbrojtur dhe për të shërbyer nënkupton mbrojtje dhe shërbim për ta”, shtoi kandidati për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshe, më parë është raportuar se qindra protestues e kanë rrethuar Shtëpinë e Bardhë dhe janë përleshur me policinë dhe Shërbimin Sekret. Në Los Angeles është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa në Indianapolis është vrarë një person e janë plagosur dy të tjerë.