Shifra alarmante të të infektuarve me koronavirus në Rusi
Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi janë shënuar 9,268 raste të reja të koronavirusit. Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 405,843 persona.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 138 viktima dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 4,693, shkruan “Reuters”.
Rusia është në mesin e tri vendeve të para me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në botë, por ka shifër mjaft të ulët të të vdekurve në krahasim me vendet kryesore evropiane, si Britania, Franca, Spanja e Italia.
Pavarësisht numrit të lartë ditor të rasteve të reja, qeveria ruse ka filluar t’i largojë masat e izolimit me qëllim të riaktivizimit të ekonomisë.
Spitalet ruse, sidomos në Moskë dhe rrethinë, janë përballur me numër të madh të pacientëve dhe mungesë të shtretërve në kulmin e pandemisë.
Sidoqoftë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë ditë më parë se situata është nën kontroll.