Sot fillon gjendja e katërt e jashtëzakonshme në Maqedoni të Veriut
Rritja e numrit të të infektuarve nga coronavirusi është arsyeja pse presidenti Stevo Pendarovski për të katërtën herë e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme që do të zgjasë 14 ditë.
Ky vendim, siç tha Pendarovski pas takimit me Këshillin për Siguri, merret që t’i mundësohet Qeverisë dhe institucioneve tjera kompetente në mënyrë më efikase të menaxhojnë me pandeminë dhe, siç tha ai, nuk ndërlidhet me datën për zgjedhjet e ardhshme, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Luftën me COVID-19 do ta fitojmë, por nuk guxojmë të relaksohemi. Duhet deri në fund të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm dhe të kujdesemi, si për shëndetin tonë ashtu edhe për shëndetin e më të afërmve tanë”, potencoi Pendarovski.
Ndryshe, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të parë u shpall më 18 mars. Prej atëherë katër herë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme edhe atë dy herë me nga 30 ditë dhe dy herë me nga 14 ditë.