438 foshnje kanë lindur në QKUK, pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus
Kurse nga 13 marsi pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus e deri në fund të muajit maj janë kryer 438 lindje, 162 prej tyre me prerje cezariane dhe 18 operacione urgjente.
Këto shifra i bëri të ditur drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Jakup Ismaili.
“Nga janari kemi pasur deri me sot 3 mijë e 421 lindje, prej tyre të përfunduara 1 mijë e 221 me prerje cezariane. Kemi bërë një analizë të tre mujorit nga 13 marsi kemi pasur 438 lindje, 162 me prerje cezariane dhe 18 operacione urgjente”.
“Gjatë muajit prill kemi pasur 692 lindje, 241 me prerje cezariane si dhe 17 operacione urgjente. Në muajin maj deri me datën 25 kemi pasur 597 lindje, 184 me prerje cezariane dhe 18 operacione urgjente”, njoftoj Ismaili.
Drejtori Ismaili deklaroi se nga përhapja e pandemisë kjo klinikë ka ndërmarrë disa hapa për të parandaluar koronavirusin.
Ismaili njoftoi se klinika ka ndaluar vizitat e palëve dhe shoqëruese të pacienteve.
Megjithatë, pavarësisht kësaj ai potencoi se ka pasur reduktime të stafit si shkak i parandalimit të virusit, por duke mos i lërë anash pacientet, si dhe klinika ka reduktuar programin elektiv, raporton EO.
“Fillimisht ne kemi marrë disa hapa për ta penguar dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes me covid-19. I kemi ndaluar vizitat e palëve dhe shoqëruese nga 13 marsi tërësisht”.
“E kemi reduktuar programin elektiv i cili pritet nga 1 qershori t’i kthehet normalitetit. Kemi bërë reduktimin e stafit, jo për të vuajtur repartet apo pacientët, por për të zvogëluar frekuentimin e personelit në klinikë, kemi punuar me një kapacitet të zvogëluar”, shtoi ai.
Ismaili thotë se nga 1 qershori Klinika Gjinekologjike pritet t’i kthehet normaliteti me kapacitet të plotë si fazë testuese.
“Dal ngadalë është një komision në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ku jemi duke bërë planifikimin që nga 1 qershori t’i kthehemi programit elektiv, ta bëjmë sistemimin e atyre që janë me urgjente”.
“Nga 1-15 qershor e kemi fazën provuese që ti kthehemi normaliteti e të fillojmë me kapacitet të plotë”, tha Ismaili.