Pati apo jo hyrje në dhomën e përgjimeve, IKD tregon ku e si të adresohen këto pretendime
Në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës, po pretendohet të kenë hyrë për tri ditë radhazi, kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla.
Në fakt këto pretendime u ngritën mbrëmë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë televizive. Ai përveç kritikave e akuzave të shumta në drejtim të qeverisë aktuale, tha se ka informata që Kurti, Abazi e Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekom.
E gjithë këto pretendime akuza e kritika sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Thaçi do të duhej t’i adresonte përmes rrugëve ligjore dhe institucionale dhe jo përmes mediave, pasi kështu po nxiten edhe konflikte institucionale.
IKD vlerëson se pas publikimit të këtyre informacioneve, me pretendime për shkelje që hynë në sferën penale, sipas detyrës zyrtare do të duhej dhe ka p[ër obligim që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të nis hetimet preliminare.
Kështu ka deklaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Betim Musliu hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Megjithëse, Musliu ngrit dyshime se në gjithë këtë debat mund të ketë vetëm kalkulime politike e të cilat Prokuroria i zbaton.
“Ky është obligim për Prokurorinë Speciale që hetimet preliminare t’i zhvillojë dhe të shihen se sa të bazuara janë pretendimet e Presidentit në raport me Kryeministrin dhe varësisht prej provave dhe dëshmive që sigurohen, prokurorët duhet të veprojnë. Megjithëse, duke pasur njohuri se sa i kapur dhe i ndikuar është sistemi prokurorial, dyshoj se në gjithë këtë debat të ngritur për këto pretendime, mund të ketë kalkulime politike, të cilat Prokuroria i zbaton, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën”, tha Musliu për FaktePlus.
Sikurse edhe më parë kur kishin pozicione tjera politike edhe tash presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë Kurti po i vazhdojnë polemikat e akuzat për njëri-tjetrin nga distanca.
E Musliu, thotë se është e papranueshme ky diskurs i çoroditur i liderëve institucional dhe politik.
Ai thekson se gjithë kjo dëmton rëndë interesin publik të qytetarëve për të krijuar një ambient ku respektohen parimet e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
“IKD vlerëson se është e papranueshme mënyra që e ka zgjedhur Presidenti Thaçi për të adresuar pretendimet e tij në raport me Kryeministrin dhe Ministrat e Qeverisë Kurti. Ne gjithmonë kemi theksuar se liderët institucional, në këtë rast edhe Presidenti i Republikës, do duhej të ishte shembull që të gjitha këto pretendime, t’i adresojë përmes rrugës ligjore dhe institucionale e jo përmes medias në publik, duke nxitur konflikte institucionale, të cilat nuk shkojnë në dobi të qytetarëve të vendit. Shembulli duhet të jepet përmes ligjit dhe rrugës institucionale, që të gjitha këto pretendime të adresohen tek kompetentët, që në këtë rast për pretendimet që ka ngritur Presidenti, kompetente është Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, theksoi Musliu.
Megjithatë, Musliu tha se nuk dihet se a është e vërtetë kjo a po jo, por që pa paragjykuar këto pretendime të presidentit, duhet të lihet prokuroria të bëjë punën e sa.
“Se a ka ndodhur një gjë e tillë, ne nuk e dimë, por ajo që dimë janë deklaratat e Presidentit. Për shkak të këtyre deklaratave, tani të vërtetën, duhet ta thonë organet e drejtësisë. Respektimi i ligjit dhe institucioneve të pavarura është parim, të cilin duhet ta zbatojnë liderët institucional, në të kundër rrezikohet pavarësia e institucioneve ligj zbatuese dhe të njëjtat mund të shndërrohen në mjete efikase persekutese për pushtetet. Është e pafalshme të ndodhin gjëra të tilla, për të cilat ka pretendime nga Presidenti, të cilat në këtë fazë janë vetëm pretendime dhe asgjë më shumë. Pra, pa paragjykuar këto pretendime, duhet t’i lëmë kohë Prokurorisë ta bëjë punën e vet dhe të na informojë të gjithëve rreth këtyre pretendimeve”, tha Musliu.
FaktePlus ka dërguar edhe pyetje në Prokurorinë e Shtetit, por nga ky institucion nuk kanë kthyer ende përgjigje lidhur më gjithë këtë çështje.
Kujtojmë se mbrëmë presidenti Hashim Thaçi ka thënë se hyrja në dhomën e përgjimeve është vepër e rëndë penale, për çka sipas tij janë të njoftuar edhe autoritetet.
“Shkuarja e Kurtit, Haki Abazit dhe Sveçlës në dhomën e përgjimeve në PTK është shqetësuese, është shkelje flagrante e ligjit. Në atë dhomë mund të futet vetëm kryeprokurori apo zyrtarët e autorizuar nga ai. Shtrohet pyetja pse ky grup shkoi aty”, deklaroi Thaçi.
Madje Thaçi ka thënë se shkuarja e Kurtit aty i ka paraprirë ndalja e kamerave për tri ditë me radhë.
“I kanë ndalur kamerat për tri ditë rresht e kanë vizitu dhomën e përgjimeve. Kjo është vepër penale. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, shkuarja fshehtas, ndalja e kamerave dhe shkuarja në dhomën e përgjimeve të PTK-së. Ata duhet të përballen me drejtësinë për këtë”, u shpreh ai.
E sot për këto deklarata reagoi edhe i pari i Qeverisë, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë tha deklarata e presidentit është shpifje e gënjeshtër e tij, derisa, shtoi se për këtë çështje i njëjti do të duhej të merret në pyetje nga prokurori i shtetit.
“Ato janë gënjeshtra, shpifje, problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë një herë, duhet të gënjejnë përditë, disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve besoj që nuk do të duhej të ishin vetëm pyetjet tuaja për mua, po edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentit”, tha ai, derisa përmendi edhe aferën ‘Pronto’. Duket se këtyre protagonistëve të aferës ‘Pronto’ ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz dhe tash besojnë që ata me të cilët nuk pajtohen janë duke u marrë me imagjinatën e tyre, po e theksoj edhe njëherë të mos humbin kohë me ta. Dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve, por ato nuk qëndrojnë”, ka thënë para gazetarëve.
Kurti nuk u mjaftua vetëm me këtë deklaratë. Ai më pas ka shkruar edhe në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ai tha se regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive.
“Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!””, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ata nga regjimi i vjetër po duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.
“Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq”, tha ai.
Lideri i Vetëvendosjes tha se ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI, ndërsa ka pyetur qytetarët “Në cilën anë je ti?”.
Thaçi përmendi edhe Sveçlën, për çka edhe ky i fundit nuk mbeti pa i komentuar deklaratat e të parit të vendit .
Para mediave, Sveçla tha se nuk është koha që të flitet për këtë çështje.
“Nuk besoj që është koha të flasim për të, nuk është as vendi, ne jemi në qendrën e administratës që QKUK-së, unë mendoj që për këtë duhet të deklarohen në ndërtesën ngjitas, ekspertët që punojnë aty”, tha u.d i ministrit të Punëve të Brendshme.
E pas deklaratës së presidentit Hashim, ka reaguar mbrëmë menjëherë edhe Haki Abazi.
Abazi ka përdorur një fjalor të ashpër, duke thënë se Thaçi është rrenc dhe njeri i poshtër.
“Thaçi është rrenc dhe njeri i poshtër”, shkruan Abazi.