Fundi i një epoke – Bylbyl Sokoli lë futbollin dhe i futet politikës, i bashkohet VV-së
Karrigia e Bylbyl Sokolit nuk do të jetë më në bankinat e stadiumeve të futbollit, por brenda organeve të një subjekti politik. Trajneri i futbollit ka vendosur të ndërrojë fushën e sportit me atë të politikës.
Insporti, nga burimet e saj ka mësuar se Bylbyl Sokoli brenda ditëve të ardhshme do të aderojë në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë aktualisht në pushtet.
Sipas këtij burimi, Sokoli ka zhvilluar disa takime me kryeministrin në detyrë të Kosovës dhe njëkohësisht kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Sokoli i njohur edhe si “Profa”, publikisht i ka të njohura qëndrimet e tij – pothuajse të ngjashme me Lëvizjen Vetëvendosje – për bashkim kombëtar.
Ai ka mbështetur prej kohësh edhe çështjen e bashkimit të federatave sportive ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe krijimin e një kombëtareje të vetme shqiptare.
Me aderimin në Lëvizjen Vetëvendosje, Sokoli mund t’i fuqizojë iniciativat e tij për bashkimin kombëtar përmes sportit, pasi që subjekti i Albin Kurtit e ka ende në program idenë e bashkimit kombëtar.
Insporti ka pyetur edhe Lëvizjen Vetëvendosje lidhur mundësinë e aderimit të Bylbyl Sokolit në këtë parti, por Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
As tekniku Sokoli, i kontaktuar prej Insportit, nuk ka dashur të komentojë në lidhje me aderimin e tij në Vetëvendosje.
Sokoli tash e një kohë është pa klub, që nga largimi i tij nga KF Prishtina. Nga posti i trajnerit të klubit kryeqytetas u largua vetëm pas dy jave qëndrimi për shkak të një problem shëndetësor në gjurin e tij. Nuk kaloi shumë kohë u prezentua si trajner i klubit tjetër kryeqytetas, KF Flamurtari.
Për dallim kohës së tij në Prishtinë, këtu qëndroi vetëm një javë dhe u largua pas disa mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit.
Gjatë karrierës “Profa”, 61 vjeçar, ka fituar vetëm katër trofe. Titullin e kampionit me KF Besiana, Kupën dhe Superkupën (2001/02) dhe Kupën e Kosovës me KF KEK-u (2003).