Dy pacientë në gjendje të rëndë, gjithsej 9 me COVID-19 po trajtohen në QKUK
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nëntë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq dy prej tyre janë në gjendje më të rënduar.
Sipas njoftimit të Klinikës Infektive aktualisht në këtë klinikë janë të hospitalizuar 10 raste, por që 9 janë me Covid-19.
Prej të prekurve me koronavirus, tani për tani 5 raste janë në gjendje stabile, kurse rastet tjera kanë gjendje më të rënduar.
“Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid- 19 është si vijon: 5 raste janë në gjendje stabile, dy raste trajtohen në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në Repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 2 raste të tjera në gjendje të rëndë”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive të QKUK-së.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 1038 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 791, ndërsa janë 30 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.