Dita kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin normalisht si para Koronavirusit
Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve ka qenë një ndër masat e para të marra pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Në mbledhjen e 23 marsit Qeveria e Kosovës me rekomandim të IKSHPK-së, pati vendosur të kufizojë lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve, në intervalin prej orës 10:00 deri në 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në 06:00.
Pak ditë më pas ky vendim ishte ndryshuar duke e kufizuar lëvizjen vetëm prej orës 17:00 deri në orën 06:00.
Atëherë ishte ndaluar edhe qarkullimi i qytetarëve në sheshe të hapura.
Kjo çështje u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, e cila i cilësoi si antikushtetues vendimin për kufizim të lëvizjes në nivel vendi dhe kështu Qeveria hoqi dorë nga vendimet e saj.
Mirëpo, më 15 prill sërish u morën vendime tjera për gjithë komunat veç e veç.
Kësaj here edhe rregullat u ndryshuan dhe disa komuna u futën karantinim të plotë pasi gjendja ishte rënduar me pandeminë. Sipas vendimeve qytetarët kishin të drejtë të lëvizjes vetëm 90 minuta në ditë, varësisht nga numri i parafundit i numrit personal të tyre.
Me përmirësimin e dukshëm të gjendjes me pandeminë, koha e lëvizjes së lirë u rrit dhe aktualisht deri në një vendim tjetër, qytetarët kanë të drejtë lëvizjeje dy herë nga 120 minuta.
Por kur do të mund të lëvizin lirshëm qytetarët?
Me rritjen e numrit të të shëruarve nga koronavirusi dhe uljen e numrit të infektimeve, ka filluar edhe gradualisht rikthimi i aktiviteteve e shërbimeve të ndryshme për qytetarë. Megjithatë tërësisht nuk është “kthyer” edhe lëvizja.
Zëdhënësi i Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se çështja e lëvizjes po diskutohet në vazhdimësi nga ministria me institucionet e tjera profesionale.
Sipas Hotit, nëse trendi vazhdon të jetë kësisoj, pra pozitiv, do të shkohet nga lehtësimi i mëtutjeshëm masave.
“Çështja e lëvizjes varet nga situata epidemiologjike. Por do të shkohet ka lehtësimi i masave, nëse trendi është kësisoj, pra pozitiv”, tha Hoti.
Por për lëvizje normale ai tha se duhet të pritet që institucionet të vlerësojnë se rreziku nga kjo fazë e pandemisë ka kaluar apo nuk paraqet fare rrezik.
“Prej momentit që IKSHPK dhe institucionet e tjera vlerësojnë se rreziku nga kjo fazë e pandemisë ka kaluar apo nuk paraqet rrezik”, ka shtuar ai.
Sa i përket lëvizjes së autobusëve dhe taksive, ai tha se aktualisht nuk paraqitet të ketë ndryshim.
Plani i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë thotë se të gjithë hapat e planifikuar të kthimit në normalitet kushtëzohen nga përmirësimi i gjendjes epidemiologjike përcaktuar nga MSH dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.
Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Kurse nga 18 maji në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Në këtë fazë janë rihapur floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.
Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim.
Kujtojmë që më 31 mars Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes në nivel të Kosovës.
Gjykata kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe Ligji për shëndetësi nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë mirëpo e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.
Pas marrjes së masave të reja më 15 prill, për kufizim edhe më të madh të lëvizjes, Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar sërish në Kushtetuese vendimin, por deri tani Kushtetuesja nuk i ka kthyer përgjigje kësaj ankese.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 1003 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 772, ndërsa janë 30 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.
Hapja e Kosovës në TRI FAZA – Ja çka fillon punën në Fazën 1, Fazën 2 dhe Fazën 3