Gucati e fajëson Qeverinë Kurti që është shtuar numri i veteranëve
Rritja e vazhdueshme e numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale, sidomos e numrit të veteranëve të luftës së ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e rëndon buxhetin e shtetit. E numri i veteranëve vetëm sa po rritet dita ditës. Madje edhe me fillimin e këtij viti është rritur numri i atyre që përfitojnë pensionin e veteranit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 38 mijë e 232 veteranë sa ishin duke përfituar pensione në janar të vitit të kaluar, në dhjetor të 2019 mbetën vetëm 38 mijë e 101 përfitues.
Por ky numër është rritur përsëri dhe në tre mujorin e parë të vitit 2020 (janar, shkurt, mars) janë 38 mijë e 205 veteranë që përfitojnë nga skema pensionale.
Që i bie se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë shtuar në skemën pensionale për veteranët e UÇK-së edhe 104 persona.
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se nuk dinë se si tani është rritur numri i veteranëve.
“Ne jemi befasuar me këtë numër, kah është rritur ky numër dhe ka rrjedh ne nuk e dimë. Si do qoftë për ne kjo është e papranueshme që të ketë rritje prapë numri i veteranëve”, ka thënë në një prononcim për FaktePlus kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati.
Edhe pse nuk di gjë si është rritur numri i veteranëve, Gucati e ka hedhur fajin tek Qeveri Kurti për rritjen e fundit.
Ai madje thotë se është e turpshme dhe e papranueshme që me ndërrimin e qeverive dhe për interesa politike po rritet numri i veteranëve.
“Deri kur kështu do të shkojë? Është turp për Qeverinë që sa herë që ndërrohet për interesa të veta politike e fryjnë numrin e veteranëve. Kjo për ne është e papranueshme. Edhe pse nuk e dimë nga ka rrjedh ky numër, mirëpo kjo rrjedhë pikërisht prej qeveritarëve se sa herë ndërrohen qeveritë shkojnë dhe e rritin numrin e veteranëve. Ky numër u rrit në kohën e Qeverisë Kurti. Nuk jam duke e akuzuar Kurtin, por ky është kryeministër dhe këta duhet ta mbajnë përgjegjësinë dhe ata duhet të tregojnë nga u rrit ky numër”, ka thënë Gucati.
Mes tjerash kreu i OVLUÇK-së është shprehur se rritjet e vazhdueshme të numrit të veteranëve që po bëhen po fyejnë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me keqardhje e them, se jo që i dëmton shokët e luftës sepse neve nuk mundet me na dëmtu askush, por e dëmton qytetarin e Kosovës, taksat tona që paguhen dhe është një fyerje për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.
Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqë nuk ishte futur në pakon emergjente të krijuar për situatën e pandemisë, ka ngrirë çdo kontakt me Qeverinë Kurti.
Madje i pari i OVLUÇK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetohen rritjen e këtij numri të veteranëve.
“Ne me qeverinë i kemi ngrirë marrëdhëniet, nuk kemi raporte me ta. Me zyrën e kryeministrit i kemi ngrirë raportet sepse nuk na kanë marrë parasysh dhe nuk na kanë futur në pakon emergjente. Mirëpo i bëjë thirrje publike Prokurorisë për me pa se kah u rrit ky numër i veteranëve”, potencon Gucati.
Ndryshe, në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas po kësaj prokurorie, numri i përfituesve mashtrues dyshihet të jetë rreth 19 mijë e 500.
Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas Prokurorisë Speciale nga pagesat e veteranëve mashtrues buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh./FaktePlus
Rritet numri i veteranëve të UÇK-së në 3 muajt e parë të këtij viti