Dy pacientë në gjendje të rëndë, gjithsej 7 me COVID-19 po trajtohen në QKUK
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shtatë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq dy prej tyre janë në gjendje më të rënduar.
Sipas njoftimit të Klinikës Infektive aktualisht në këtë klinikë janë të hospitalizuar 10 raste, por vetëm 7 janë me Covid-19.
Prej të prekurve me koronavirus, tani për tani 3 raste janë në gjendje stabile, kurse rastet tjera kanë gjendje më të rënduar.
“3 raste janë në gjendje stabile, 2 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 2 raste janë në gjendje më të rënduar, duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv, njëri prej tyre është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit sot nga Klinika Infektive lirohen 2 pacientë të shëruar.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 989 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 769, ndërsa janë 29 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.