Bankat shtyjnë mbi 1 miliard euro kredi, nuk mungon as aplikimi i kredive të reja
Masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim ndaljen e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, kanë ndikuar në zhvillimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen zvogëlimin e nivelit të të hyrave për bizneset në vend.
Në mesin e institucioneve që morën masa ishte edhe Banka Qendrore e Kosovës. Kjo e fundit, duke marrë parasysh këtë situatë, ka ndërmarrë disa masa lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar, shkruan FaktePlus.
Një prej vendimeve që ka marrë BQK-ja, është edhe shtyrja e afatit për pagesat e kësteve të kredive.
Kjo shtyerje u bë për tre muaj ku u aprovuan qindra kërkesa.
Nga BQK kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se deri në afatin e caktuar, vlera e tërësishme për shtyrje të pagesës së kësateve janë 1.30 miliardë euro.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, bazuar në këtë, për këtë periudhë kohore, thotë për FaktePlus se kanë qenë 44 mijë e 670 kërkesa për shtyerje të kredive.
“Bazuar në informatat e pranuara nga sektori bankar, vlera e tërësishme e kërkesave për shtyrje të pagesës së kësteve deri më 31 mars 2020 është 1.30 miliardë euro, apo 42.5% e gjithsej portofolit kreditor. Në kontekst të numrit të kredive, janë gjithsej 44,670 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 9.8% e gjithsej numrit të kredive. Norma e aprovimit të kërkesave për shtyrje të kredive është mjaft e lartë; 98% për persona juridik dhe 86% për persona fizik”, ka thënë Ahmeti.
Tutje Ahmeti thotë se bizeneset janë numri më i marrë i aplikimeve për shtyrje të kësteve të kredive. Pason sektori privat me rreth 40 për qind.
“Në kontekst sektorial, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30.3% e portofolit kreditor apo 71.5% e gjithsej vlerës së kërkesave. Sa i përket personave fizik, gjithsej kërkesat ishin 12.1% e portofolit kreditor, ku 39.5% e tyre janë kërkesa të personave fizik që janë punonjës në sektorin privat”, thotë Ahmeti.
Nga ana tjetër, BQK bënë të ditur se përveç shtyrjeve të kësteve të kredive, në vend ka pasur edhe kërkesa për kredi të reja. Në këtë drejtim nuk kanë munguar kërkesat e qytetetarëve për kredi të reja.
Nga të dhënat zyrtare, dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus janë 40 milionë euro dhënë si kredi të reja.
E për këtë zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, thekson se përkundër masave strikte të lëvizjes gjatë muajit prill, sektori privat ka vazhduar të kreditoj ekonomin në masë të konsiderueshme.
“Vlen të theksohet se gjatë muajit Prill 2020, bazuar në të dhënat preliminare të pranuara, nuk ka rritje të numrit të kërkesave për shtyrje të kredive. Gjithashtu vlen të theksohet se përkundër masave mjaft restriktive të lëvizjes gjatë muajit prill, sektori bankar ka vazhduar të kreditojë ekonominë në masë të konsiderueshme, duke arritur vlerën prej mbi 40 milionë euro të kredive të reja për këtë muaj”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe në Kosovë, bizneset dhe qytetarët janë ndihmuar nga qeveria me pakon emergjente ku kjo pako ka përmbajtur mbi 170 milion euro ndihmë financiare./FaktePlus