Ambasadori i Britanisë jep qëndrimin për korrigjimin e kufijve
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell ka ripërsëritur edhe njëherë se qëndrimi i Britanisë për korrigjimin e kufijve është po i njëjti dhe mbetet i pandryshuar.
Diplomati britanik bëri këto deklarata gjatë një konference që mbajti me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, me të cilin edhe nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit
Në këtë rast, O’Connell tha se qëndrimi i britanikëve nuk ka ndryshuar rreth çështjes së kufijve dhe bëri thirrje që pala kosovare të përqendrohet në drejtësi.
“Ju e dini qëndrimin e Britanisë, jemi këtu për drejtësinë. Sistemi i drejtësisë është thelbësor për zhvillimin e Kosovës. Qëndrimi i Britanisë nuk ka ndryshuar”, ka theksuar O’Connell.
Por, pavarësisht kundërshtimit të hapur që po i bëhet nga Britania si dhe Gjermania e shtetet e tjera të fuqishme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të këmbëngulë në idenë për korrigjim të kufijve me Serbinë, respektivisht edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.