Ditari i Albinit, 12 Maj
Shkruan: Albin Mehmeti
Drita që e pamë në fundin e tunelit ka filluar të venitet, këto dy-tre ditët e fundit. Pas disa ditëve tejet shpresëdhënëse, tash po gjendemi në ditët kritike, ku përsëri kanë filluar të shfaqen një numër i madh i të prekurve me virusin korona. Thonë se një nga vatrat e infeksionit është një spital privat. Ashtu thonë mediat. Në një vend ku shkon për të gjetur shërimin, e gjen virusin. Këto ditë kishim më shumë të infektuar sesa të shëruar. Ditë e kaluara qenë disa ditë të mira dhe raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e prisnim me gëzim. Shpeshherë edhe me eufori. Dhe, ja, tani përsëri u rikthye frika. U rikthye përsëri paniku në mes nesh. Përsëri po jetojmë me virusin dhe me frikën. Të dhënat e fundit flasin për nëntëqind e nëntëmbëdhjetë të infektuar, gjashtëqind e shtatëdhjetë e një të shëruar dhe njëzet e nëntë të vdekur. Rasti i fundit i vdekjes ishte sot. Do të kalojë apo jo virusi, sido që të jetë, bota ka hyrë në një epokë të re. Në një epokë me maska. Siç duket, ky determinim prej qiellit të shtatë erdhi si pasojë e asaj që ne e humbëm fytyrën, dhe duhet që të vendosim maska, në mënyrë që ta plotësojmë boshllëkun që e ka lënë humbja e fytyrës. Tani do të hyjmë në një epokë, ku mbase njerëzit do të maskohen me fytyrat e tyre të vërteta.
Nuri i të infektuarve është rritur tej mase këto ditë, ndoshta nga histeria jonë. Besëtytët do të thonë se kjo ndodhi nga mësyshi. Politikanët, të famshmit tanë, ata që kur kishte pak raste, e lavdëronin vetën për këtë sukses, tani ndryshuan diskursin. Sot, dje e pardje ata hodhën vrer mbi qytetarët. Për ta, dhe sivëllezërit e tyre militantë, qytetari është armiku i vetvetes. Sot, dje dhe pardje, e gjithë artileria e sharjeve dhe përbuzjeve u drejtua kah qytetarët. Shajnë qytetarët e lirë, dhe një pjesë e tyre vetëm se bëjnë “Amin!”, pasi nuk ka dert, sepse shau lideri dhe sharja e tij është bekim e lavdërim! Sharja e tij është mësim për jetën! Është e tmerrshme kur sheh njerëz që për liderin e partinë shajnë Zot e shajnë familje. Në ç’qorrsokak jemi duke shkuar?!