Kllokoqi: Nëse lokalet hapen me masa të reja do të kemi 1/3 e fitimit
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, tha se pandemia ka goditur më shumë këtë sektor dhe se rimëkëmbja do të jetë e vështirë edhe nëse hapen lokalet me masat e reja.
Megjithatë, ai tha se duhet mësuar që të bëhet biznes edhe në këtë klimë pandemie.
“Shtetet që kanë buxhet më të madh, po ia shtrijnë dorën bizneseve. 170 eurot e dhëna nga Qeveria është një ndihmë, por nuk e mban gjallë biznesin, njëjtë edhe përgjysmimi i qirasë. Duhet të ketë një pako fiskale që t mbahen gjallë edhe ata punëtorë dhe biznese në të zezën”.
“Ne s’do të mund të mbijetojmë kësaj radhe. Në këtë situatë duhet të mësohemi të bëjmë edhe biznes me këtë virus. Virusi ka qenë më shumë i fuqishëm në dëme të ekonomisë”.
Kllokoqi në Rubikon tha se nëse lokalet në Kosovë i zbatojnë masat e reja për distancë brenda objektit do të kenë 1/3 e fitimit.
“Punonjësit në lokale do të kenë maska dhe doreza, distanca mes tavolinave do të jetë 2 metra, por fitimi do të jetë shumë më pak, përkundër shpenzimeve të tjera që do të jenë njësoj. Po ashtu, sa kanë me dalë njerëzit pasi kafenetë te ne konsiderohen luks?”.
“Thirrja jonë ka qenë me subvencione të pagave dhe mbulim të qirave. Rimëkëmbja e bizneseve duhet të shkojë gradualisht”.
Kllokoqi tha se duhet të ketë sensibilizim që të vetëdijësohen edhe bizneset kur të fillojë hapja.
“Pa ndihmë të shtetit s’kemi hesap as me i hap bizneset, por më mirë të hapën dhe të jetë prezent edhe dora e shtetit dhe të qarkullojë paraja”.