Franca përgatitet për dalje nga izolimi
Më 10 maj Franca raportoi për 70 vdekje të reja nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Ky është numri më i ulët ditor i vdekjeve në javët e fundit.
Në Francë deri më tani janë shënuar gjithsej 26,380 viktima nga koronavirusi.
Ky vend do të dalë të hënën nga izolimi, megjithëse shumë kufizime do të mbesin në fuqi.
“Përpjekjet tona gjatë izolimit shpëtuan mijëra jetë”, tha ministria e Shëndetësisë në Francë.
Megjithatë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, epidemia është ende “aktive” dhe se rreziku i një vale të dytë të të infektuarve mbetet si kërcënim.
Në kuadër të masave lehtësuese të izolimit, qeveria franceze i ka ndarë rajonet në zona të gjelbërta dhe të kuqe, varësisht nga shkalla e rrezikut të përhapjes së virusit.
Parisi dhe tre rajone tjera janë klasifikuar në zonën e kuqe.