Dyshime e reagime për gjobën 4 milionëshe: Ku u bazua vendimi dhe pse disa kompani nuk u gjobiten
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se i ka gjobitur me mbi 4 milionë euro, 14 kompani të derivateve të naftës, pasi është vërtetuar se ato kanë manipuluar me çmime të derivateve. Por, këtë vendim po e kundërshtojnë pronarët e kompanive. Madje, ata kanë ngritur dyshime mbi këtë vendim. E dyshimet e tyre kanë ardhur pasi jashtë kësaj liste është lënë kompania “Dilloni Benz” , pronar i së cilës është kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Me vendimin e AKK-së nuk është pajuar as Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
14 kompani të derivateve sot kanë marrë lajmin se janë dënuar me mbi 4 milionë euro, nën dyshimin se kanë bërë marrëveshje për çmimet.
Vendimin për dënimin e tyre gjatë ditës e ka bërë publike Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, konkretisht kryetari i saj Valon Prestreshi.
Por, me këtë vendim nuk janë pajtuar pronaret e kompanive që janë gjobitur. E dyshime ka edhe për listën e kompanive që janë gjobitur, pasi aty nuk janë përfshirë të gjitha.
Pjesë e listës së kompanive të gjobitura nuk është edhe kompania “Dilloni Benz” , pronar i së cilës është Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, që është edhe pronar i kompanisë “Dilloni Benz” ka folur për FaktePlus lidhur me dënimet që janë dhënë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Ai ka thënë se vendimi për këto gjoba është i ngutshëm, dhe sipas tij nuk ka asnjë dëshmi që ka marrëveshje mes naftëtarëve në Kosovës.
“Nuk ka asnjë marrëveshje dhe nuk ka pasur kurrë. Çmimet kanë qenë çdo herë të vendosura ashtu siç kanë dashur pronarët e kompanive. Shoqata fuqishëm deklaron se nuk ka patur asnjëherë marrëveshje për çmimin e naftës në mes të operatorëve të këtij sektori dhe se marrja e këtij vendimi është e bazuar kryesisht në insinuata”, ka thënë Berjani.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë publike emrat e 14 kompanive që janë gjobitur, e në këtë listë nuk është edhe kompania “Dilloni Benz” , pronar i se cilës është Fadil Berjani.
FaktePlus ka pyetur Barjanin, se pse kompania e tij nuk është në këtë listë dhe se cila është lidhja e tij me kryetari i AKK-së, Valon Prestreshin. Mirëpo, Berjani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete vetëm se ka thënë se “s’kam asnjë lidhje me të”.
“Nuk kam asnjë lidhje me Valonin. Nuk kam edhe shpjegime se pse nuk është gjobitur “Dilloni Benz”. Unë me sa kam informata gjoba kanë marrë veç importuesit e mëdhenj. Por, po e them përsëri se marrëveshje për çmime nuk ka pasur mes kompanive të derivateve”.
Këto janë kompanitë që u gjobitën pas rritjes së çmimit të derivateve
I habitur me vendimin e Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ka mbetur edhe Ibrahim Bucaliu, pronar i kompanisë “HIB Petrol”, kompani kjo që është gjobitur me më shumë se 1 milion euro.
Bucaliu në një deklaratë për FaktePlus ka thënë se vendimi për gjobitje të kompanive është marrë në kohën me të keqe, pasi sipas tij, pandemia i ka prekur shumë kompanitë e derivateve.
“Ne në ketë kohë kemi qenë të prekur edhe nga pandemia e koronavirusit, që ka prekur tërë botën. Dhe pikërisht në këtë kohë edhe na gjobiten. Kjo është shumë e padrejtë dhe e qëllimshme”, ka thënë Bucaliu.
Ai tutje ka thënë se edhe kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi këtë vendim e ka marrë vetëm për të bërë famë dhe për t;u dukur se është duke punuar diçka.
“ Krejt vendimi është i qëllimshëm dhe s’ka asnjë bazë. Ky kryetari i AKK-së këtë vendim e ka marr vetëm sa për të bërë emër, kinse është duke u marrë me njerëz të mëdhenj. Për neve është absurde të dënohemi me 1 milion euro, derisa këtij shteti kompania ime i ka dhënë me miliona euro”.
Drejtor i kompanisë “HIB Petrol” mohon me çdo kusht se ka pasur marrëveshje mes kompanive të derivateve në Kosovë.
“Kurrë s’ka pasur marrëveshje për çmime e as nuk do të ketë. Pronaret e kompanive të derivateve shumica nuk flasin mes vete e lë më të bëjnë marrëveshje për çmime. Kjo është absurde të thuhet dhe të mendohet”, ka deklaruar Bucaliu.
Ndaj vendimit të Autoriteti Kosovar të Konkurrencës, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë fakt bindës për gjobat marramendëse që janë shqiptuar për kompanitë në fjalë.
Rukiqi, ka thënë se gjoba prej 4 milionë euro ndaj 14 kompanive të naftës në Kosovë për manipulim të çmimeve është dashur të merrej pas pandemisë së koronavirusit.
Rukiqi: Gjoba ndaj kompanive të naftës është dashur të merrej pas pandemisë
“Pa paragjykuar drejtësinë, ky vendim në këtë kohë është goditje për kompanitë. I kam parë edhe faktet dhe e them me plot bindje, nuk ka asnjë fakt bindës për gjobat marramendëse që janë shqiptuar për kompanitë në fjalë. Së paku do të duhej me prit deri në përfundim të pandemisë. Ky vendim, në kohë pandemie, e cenon rëndë mundësinë që kompanitë në fjalë të mbrohen brenda mekanizmave të sundimit të ligjit”, ka thënë Rukiqi.
FaktePlus gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, lidhur me vendimin që ka marrë për gjobat, dhe pse listën e kompanive nuk është edhe kompania “Dilloni Benz”, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
E gjatë ditës së sotme kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi bëri publike se morën vendim për shkak të shkeljes së dispozitave të konkurrencës në treg, dhe 14 kompani të gjobitën prej mbi 4 milionë euro.
Sipas tij, këto kompani kanë manipuluar me çmimet e naftës.
“AKK-ja ka marrë vendim përfundimtar për çmimet e derivateve të naftës. Hetimi ka nisur në vitin 2019 ku janë nisur dyshimet se operatorët nuk kishin vepruar si në vitin 2018. Dyshimi është ngritur se mos kemi të bëjmë me sjelljen e konkurrencës ose ndonjë marrëveshje e ndaluar për këtë fushë”.“Kompanitë që kanë qenë në hetim e kanë çrregullua konkurrencën në treg, ato kanë kryer shkelje të dispozitave të konkurrencës”./FaktePlus
HIB Petrol reagon ndaj AKK-së: Po na ndëshkoni në kohë krize, pa fakte