Kurdisen çmimit, dënohen me 4 milionë euro 14 kompani të naftës
4 milionë euro është shuma e dënimeve që Autoriteti i Konkurrencës ua ka shqiptuar 14 kompanive të naftës të cilat kishin manipuluar çmimet.
Eshtë vërtetuar se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim e kanë çrregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.
Në nëntorin e kaluar AKK-ja kishte gjetur fakte se shkaku i kurdisjes së çmimit të naftës, fitimi i kompanive ishte rritur deri në 124 për qind. Dyshimet e Autoritetit se kompanitë e naftës janë marrë vesh paraprakisht për rritjen e çmimit të naftës, këtë javë kanë marrë epilog nga komisioni i ngritur për këtë çështje.
Pas zhvillimit procedural, Komisioni i Autoritetit, më 6 maj 2020 ka vendosur të shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumën prej 4 milionë euro të totalit të të hyrave për gjashtë 6-mujorin e vitit 2018 ndaj 14 kompanive nën hetim.
Sipas informacioneve, të 14 kompanitë, me veprimet e tyre, kanë kryer shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës , përkatësisht nenit 4 për “Marrëveshje të ndaluara apo praktikë e bashkërenduar”.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të premten do të bëjë publike edhe emrat e kompanive dhe dënimet individuale për secilën nga to. Megjithëse dyshimet ishin që 14 kompani, në mesin tyre “Hib Petrol”, “Al-petrol”, “Ex Fis”, “Lab Oil” e “Petrol Company” kishin kurdisur çmimin e naftës fundvitin e 2018-s, raporton Koha.net
Kur patën nisur hetimet Autoriteti pati deklaruar se këto kompani fitimin për muajt janar-tetor e kishin rreth 9 %, kurse në nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%.
Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës. Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në dhjetor ka qenë 135%.