Babai i 26 vjeçarit nga Gjilani: Kurtin, Vitinë e Sveçlën nuk i dua as për ngushëllime
Naim Musliu, babai i 26 vjeçarit nga Gjilani që sipas policisë vdiq dje në rrethana tragjike derisa po karantinohej në Qendrën Studentore, ka hedhur akuza ndaj krerëve institucionalë për humbjen e të birit.
Musliu ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të djalit të tij.
Ai shton se ka tentuar disa herë përmes policisë që të kontaktojë me djalin kur është kthyer në Kosovë, duke tentuar që t’ua shpjegoj se ai ka probleme shëndetësore, mirëpo, thotë se nuk e kanë lejuar.
Më tej ai thotë se djali i tij tashmë i ndjerë, Agon Musliu, ishte nisur për në Gjermani në fillim të muajit mars për të vazhduar studimet por për shkak të pandemisë, vijimi i mësimeve ishte ndërprerë.
Në intervistën e tij, Naim Musliu shprehet se nuk i do për ngushëllime Kryeministrin Albin Kurtin, Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesin e detyrës së Shefit të Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla.