Rashica del negativ në testin për koronavirus
Werder Bremeni ka konfirmuar se të gjithë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit të klubit, përfshirë këtu yllin kosovar Milot Rashicën, kanë dalë negativë në testet për virusin Covid-19, përderisa ka shtuar se testet e radhës do të mbahen të dielën.
Bundesliga ka qenë e pezulluar përkohësisht që nga 13 marsi shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19, që e ka ndërprerë futbollin pothuajse në gjithë botën. Megjithatë, liga elitare e futbollit në Gjermani duket se është më afër kthimit sesa ligat e tjera.
Skuadra e Bundesligës dhe Bundesligës 2 i kanë rinisur seancat stërvitore qysh gjatë muajit prill dhe drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Christian Seifert, ka zbuluar se këto dy liga po shpresojnë t’i rinisin ndeshjet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Rinisja fillimisht ishte planifikuar të bëhej më 9 maj, mirëpo qeveria gjermane vendosi ta shtyjë këtë datë. Përkundër kësaj, klubet gjermane janë duke vazhduar ndjekjen e protokollit, siç është rasti me ekipin e Rashicës, që ka lajmëruar për testimet e fundit për koronavirus.
“Të enjten, lojtarët dhe stafi i Werder Bremenit janë testuar për Covid-19, në pajtim me rregullat e Federatës së Futbollit të Gjermanisë për higjienë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga klubi në faqen zyrtare
“Që nga atëherë, rezultatet na u janë kthyer nga laboratori: të gjithë kanë dalë negativë. Testi i radhës për lojtarët dhe stafin do të bëhet të dielën”.