Hapja e Kosovës në TRI FAZA – Ja çka fillon punën në Fazën 1, Fazën 2 dhe Fazën 3
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sipas asaj që ka njoftuar Ministria, lehtësimi i masave do të zhvillohet në TRI FAZA.
Faza e parë fillon nga 4 maji deri më 18 maj, e dyta nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa faza e tretë hyn në fuqi më 2 qershor.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka specifikuar edhe cilat punë mund të fillojnë të kryhen dhe bizneset që do të hapen gradualisht, duke filluar nga 4 maji, raporton FaktePlus.
FAZA e PARË përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
FAZA e DYTË fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
FAZA e TRETË hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive./FaktePlus