Limaj: Nëse Qeveria Hoti votohet të shtunën, menjëherë fillohet puna
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, që po e synon postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e mundshme Hoti, tha se sapo të votohet në Kuvend të shtunën do të fillojë punën.
Ai tha se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtuese, por se dy qeveri nuk mund të funksionojnë në të njëjtën kohë pas votimit të qeverisë së re në Kuvend.
“Ne kemi hyrë në procedurat ligjore dhe ta lëmë Gjykatën Kushtetuese ta thotë fjalën e saj. Unë e përshëndes hapin institucional të VV-së. Kjo është rruga që duhet të ndiqet dhe kjo duhet të përshëndetet”.
“Nëse Gjykata Kushtetuese jep çfarëdo vendimi ne duhet ta respektojmë atë. Në zgjedhje shkojmë kur të krijohen kushtet. Është shumë me rëndësi ta respektojmë udhëzimin dhe arsyetimin që e jep Gjykata Kushtetuese. Ka shumë gjëra që në aktgjykim mund t’i përdorim si rrugë për të vazhduar tutje”.
Megjithatë, ai është i bindur se pranim-dorëzimi i detyrave do të bëhet në mënyrë demokratike.
“Kosova ka krijuar një praktikë në këtë aspekt dhe është vlerësuar edhe nga jashtë. S’ka pasë asnjëherë probleme me rotacion të pushtetit. Si në nivelin qendror, ashtu edhe lokal. Nga viti 2000 kur e kemi nisur dhe deri më tani asnjëherë s’ka pasë probleme”.
“Kur votohet një qeveri në Kuvend thuhet se është qeveri në fuqi derisa kur s’ka vendim të gjykatës dhe nuk mundemi askush me bë veprim pa vendim të Gjykatës. Mundet që pas dy dite me thënë ka qenë gabim kjo qeveri dhe të anulohen të gjitha vendimet që ka marrë”.
“Nëse votohet qeveria të shtunën, atëherë nga e shtuna Hoti mund të marrë vendime. Kur kryetarja e Parlamentit konstaton procesin e votimit dhe thotë se ka qeveri të re atëherë nga ai moment kryeministri është fuqiplotë dhe nga ai moment merr vendime. S’ka qeveri tjetër”.
Limaj në Rubikon tha se Vetëvendosje mund të merr mësime të mira nga qeverisja e shkurtë që pati dhe e fajësoi vetë atë për rrëzimin.
“Si është e mundur që për 51 ditë një kryeministër me lënë me iu bë votëbesimi? Ky është alarm. Si është e mundur që katër muaj të negociosh e me qeverisë 51 ditë?”.
I pari i Nismës tha se nuk pajtohet që fituesi i zgjedhjes duhet që medoemos të krijojë qeverinë.
“Gjykata le ta thotë fjalën e vet. Nëse i pari nuk e do pushtetin nuk mund të kthehet si bllokues i demokracisë. Me gara dhe me lojëra politike duhet të kihet kujdes. S’ka rrugëdalje politike duhet të ndërtohet partneriteti”.
“Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se s’ka të drejtë të bëhet qeveria pa të parin do të ishte bërë diktaturë. Prandaj demokracia të shti me u ulë në tavolinë dhe të ndërtohen partneritetet”