Nga aeroporti ‘Adem Jashari’, Pacolli do të shkojë direkt në rezidencën e tij
Deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të shkojë në rezidencën e tij dhe nuk do të vendoset në karantinë.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Behgjet Pacolli, tashmë ka ateruar në Prishtinë nga Tirana.
Këshilltari i tij, Liridon Llapashtica, ka bërë të ditur, se ai do të shkojë direkt në rezidencën e tij në Hajvali pasi që të bëj kontrollet mjekësore.
“Në këto momente, z. Pacolli do të udhëtojë për në Prishtinë. Kërkesa është aprovuar, dhe nisja po bëhet nga Tirana, ku edhe ishte duke qëndruar këto ditë. Më të arritur në aeroport ai do ti nënshtrohet kontrollës rutinore mjekësore, për të vazhduar pastaj në rezidencën e tij në Hajvali”, ka deklaruar Llapashtica.
Sipas tij, për këtë ai ka edhe lejen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se Pacolli do të qëndrojë në vetizolim në rezidencën e tij në Hajvali për 14 ditë.
Mirëpo, disa burime kanë bërë të ditur se ekipi mjekësor që është në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, do të vendos për Pacollin në bazë të raportit të tij mjekësor.
Sipas po të njëjtit burim, Pacolli ka disa shqetësime shëndetësore dhe se për këtë arsye ka shumë gjasë që ekipi mjekësor të marrë për bazë këtë raport mjekësor të tij dhe të vendos që ai të vetizolohet në shtëpinë e tij.