Totaj: Pakoja e qeverisë s’e shpëton ekonominë nga kolapsi, të votohet propozimi i PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar të pamjaftueshme pakon e qeverisë për të stimuluar ekonominë gjatë krizës së pandemisë.
Sipas nënkryetarit të PDK-së, Shaqir Totaj, kjo është një lëmoshë dhe duhet patjetër të votohet në Kuvend propozimi i PDK-së prej 320 milionë euro.
Deklarata e plotë e Totajt:
Po mbushen 7 javë nga fillimi i pandemisë në Kosovë dhe ndërkohë që shumë vende evropiane janë duke planifikuar lehtësimin e masave dhe rihapjen e ekonomisë, qeveria në ikje e Kosovës ende nuk i ka dhënë ekonomisë ndihmën e merituar.
Qeveria e shkarkuar e Kurtit, me vonesën, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e saj, e ka lënë ekonominë të rrezikuar prej kolapsit dhe dhjetëra mijëra punëtorë të sektorit privat në kushtet e mbijetesës.
Kjo qeveri në ikje është treguar shumë neglizhente me pandeminë duke mos parashikuar fonde për të luftuar koronavirusin në buxhetin e vitit, i cili u miratua në një seancë klandestine në datën 14 mars, pra pasi pandemisë në Kosovë.
Madje kujtojmë se ministrja Rozeta Hajdari deklaronte me krenari të madhe indiferencën ndaj emergjencës së pandemisë, duke thënë se qeveria nuk duhej të bënte asgjë për të shpëtuar ekonominë sepse sipas saj “nuk e kemi sjellë ne koronavirusin”.
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë partia e parë që ka propozuar një pako emergjente prej rreth 320 milionë eurosh, për të ardhur në ndihmë të bizneseve private si dhe të qindëra mijëra punëtorëve të kompanive private që po detyroheshin të mbylleshin si pasojë e pandemisë.
Madje në mënyrë konstruktive si rrallëherë ka ndodhur me partitë opozitare të Kosovës, i ofruam qeverisë së shkarkuar, edhe votat tona për të bërë një seancë të jashtëzakonshme, ku të bënim ndryshim- plotësimin e buxhetit të këtij viti, për të mundësuar përfshirjen e kësaj pakoje emergjente.
Qeveria e shkarkuar e ka refuzuar këtë ftesë tonën për të miratuar të gjithë së bashku në mënyrë ligjore një paketë të plotë gjithë përfshirëse për të shpëtuar ekonominë nga kolapsi dhe për të siguruar 300 euro në muaj të ardhura për punëtorët e sektorit privat.
Madje ka marrë një vendim të paligjshëm në nivel ministri për një paketë të mangët prej 180 milionëve, nëpërmjet të cilit është premtuar se punëtorët e sektorit privat do të merrnin rrogën minimale prej 170 euro.
Kujtojmë këtu se bëhet fjalë për dhjetëra mijëra punëtorë të cilët nuk duhet të trajtohen me lëmoshë, por duhet të marrin një rrogë dinjitoze sa mesatarja e pagesave që bëhen në sektorin privat, pra të paktën 300 euro.
Jo vetëm që ata kanë nevojë për më shumë 170 euro për të mbuluar shpenzimet e tyre bazike por edhe për të stimuluar konsumin në ekonomi.
Po ashtu, fondet e parashikuara nga qeveria në ikje janë të pamjaftueshme për të garantuar mbijetesën e bizneseve private dhe për të mundësuar rimëkëmbjen e ekonomisë sonë pas pandemisë.
Mijëra biznese po gjenden sot pranë falimentimit sepse nuk kanë mjaftueshëm para për të paguar qiratë, kreditë apo shpenzimet e tjera bazike operative.