Këshilltarja e Pacollit tallet me Xhelal Sveçlën, i thotë qoma lokacionin
Rejhane Vuniqi, këshilltarja e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli është tallur me ushtruesin e detyrës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Xhelal Sveçla.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Vuniqi ka shkruar: “Qoma lokacionin ose dal para trenit”, frazë kjo e thënë në disa biseda të publikuara nga Gazeta Insajderi, të këngëtares, Morena Taraku.
“Qoma lokacionin ose dal para trenit sa patetike u duk sot konferenca e U.D. i Ministrit të Punëve të Brendshme ku i kishte mbledhë të gjithë gazetarët për të ia kërkuar lokacionin Presidentit Pacolli ose përndryshe bohet nami. Po për mjekët serbë që hynë sot në Kosovë, a e dijmë lokacionin dhe a duhet edhe ata të karantinohen apo ska nevojë se ata skanë me votu????”, ka shkruar Vuniqi.
Ky reagim i këshilltares së Pacollit vjen pasi që Sveçla, ka ngritur dyshimet për futjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli në Kosovë.
Në një konferncë për media, Sveçla ka treguar se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme kishte kaluar kufirin dhe kishte shkuar në Shqipëri rreth orës 18:00, përcjell Gazeta Insajderi.
Ndër tjera sipas Sfeçlës edhe presidenti i vendit kishte thyer rregullat për uljen e tij në veturë.
“Mbrëmë vonë i informuar nga ana e Policisë kufitare, që Presidenti i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, ka kaluar kufirin shtetëror, pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë, i njëjti është kthyer në Kosovë pas pak orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet presidenti, po ashtu është vërejtur që presidenti ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP, po ashtu policia për shkak të xhamave të zi nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona të tjerë ulur prapa, vetura e presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm me nga një veturë tjetër në të cilën ka qenë vetëm shoferi”, ka thënë Sfeçla.