Biznese, toka, shtëpi – pasuria milionëshe e Blerim Kuçit, i propozuar për Ministër të Zhvillimit Ekonomik
Gjatë ditës janë bërë të ditur edhe emrat e 4 ministrave që do të jenë nga radhët e AAK-së.
Ndër ta është edhe Blerim Kuçi i propozuar për ministër të Zhvillimit Ekonomik.
Kuçi që për vite me radhë ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm në AAK, dhe aktualisht është një nga nënkryetarët e saj, pritet që në qeverinë e re të bëhet me post ministror.
Por sa peshon pasuria e Blerim Kuçit e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit?
Kuçi pasuri të paluajtshme ka deklaruar shtëpi të trashëguar në vlerë 458 mijë euro, dy banesa, njëra prej të cilave kap vlerën 72 mijë euro dhe tjetra 168 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe një lokal afarist, vlera e të cilit është 270 mijë euro.
Një pllac e ka deklaruar në vlerë 50 mijë euro dhe një tokë tjetër në vlerë 90 mijë euro.
Pasuri të paluajtshme Kuçi ka deklaruar edhe tri vetura, një në vlerë prej 50 mijë eurosh, tjetra në vlerë prej 25 mijë eurosh, dhe një veturë nga aktiviteti i biznesit në vlerë 8 mijë e 500 euro.
Para në bankë në emër të tij ka deklaruar vetëm 2 mijë e 800 euro, kurse borxhe dy kredi, një në vlerë prej 30 mijë eurosh, tjetra në vlerë prej 10 mijë eurosh.
Ai po ashtu ka deklaruar aksione në NPN “Hidroterm” shpk dhe Hidroterm BK-Doo.
Kujtojmë se Kuçi edhe vite më parë ka qenë ministër. Sa ishte pjesë e LDK-së, Kuçi gjatë koalicionit LDK-AAK ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Po ashtu për një mandat ka qenë edhe kryetar i Komunës së Suharekës.