Që në ditën e parë, LDK e AAK shkelen marrëveshjen e koalicionit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur sot marrëveshjen e koalicionit për bashkëqeverisje, pas suksesit të mocionit të mosbesimit të 25 marsit ndaj qeverisë Kurti. Sipas marrëveshjes në fjalë AAK do të marrë katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit. Sidoqoftë, njëra nga 14 pikat e marrëveshjes së lidhur bie ndesh me njërin nga propozimet e AAK-së për postin e ministres, duke bërë që kjo marrëveshje të shkelet ende pa hyrë në zbatim.
Meliza Haradinaj Stublla do të jetë ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë Hoti, nëse e njëjta merr votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj-Stublla në tetor të vitit 2019 ishte dënuar me 8 muaj burgim me Kusht dhe 1 mijë euro gjobë për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk do të ekzekutohet nëse Haradinaj nuk kryen vepër të re penale në periudhën brenda një viti. Kjo do të thotë se e njëjta nuk e ka kryer ende dënimin e saj.
Sidoqoftë, e kaluara me probleme me ligjin e Haradinajt duket se përbën shkelje të marrëveshjes së arritur sot mes LDK-së e AAK-së, ende pa hyrë në zbatim.
Pika 9 e marrëveshjes saktëson se dy partitë duhet të emërojnë në pozita qeveritare, persona të cilët nuk kanë pasur probleme me ligjin në të kaluarën, pa specifikuar se për çfarë veprash penale bëhet fjalë.
“LDK dhe AAK pajtohen që në kabinetin qeveritar të caktojnë persona me kompetencë të lartë profesionale, pastërti të figurës, të mos kenë pasur probleme me ligjin, si dhe të kenë vullnet për punë ekipore”, shkruhet në pikën 9 të marrëveshjes, pa u qartësuar natyra e veprave penale.
Në një situatë të tillë, emërimi i Haradinaj-Stubllas në pozitën e ministres në MPJ përbën shkelje të drejtpërdrejtë të pikës së nëntë të marrëveshjes për koalicion qeverisës.
Për atë se si do të veprojë AAK-ja në këtë drejtim, për lajmi.net ka folur nënkryetari i këtij subjekti, Ardian Gjini.
Ai ka thënë se nuk është në dijeni se Meliza Haradinaj është dënuar për korrupsion apo për keqpërdorim të detyrës zytare, dhe se siç është shprehur Gjini, “ajo nuk është e asaj pune”.
“Nuk jam në dijeni që është dënu ashtu. Ka një proces në gjyqësor ka shkuar në apel vet. Nuk i di detajet por një gjë e di, se Meliza Haradinaj as lidhje nuk ka me korrupsion ose me keqpërdorim të detyrës zyrtare ose diçka të ngjashme, e as nuk është e asaj pune”, ka thënë Gjini.
Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht Meliza Haradinaj -Stubllën, pasi si zyrtare e lartë që ishte, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj ajo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë.
Ajo akuzohej se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.
LDK dhe AAK sot ndërkaq kanë arritur marrëveshjen për koalicion qeverisës, e cila përmbanë 14 pika.
Njëra nga këto pika të theksuara aty është dakordimi që asnjëra nga këto dy parti, nuk do ta përkrahë një mocion të mundshëm mosbesimit të inicuar nga opozita.