Vitia: Pas 4 majit mund të dyfishohet ora e lëvizjes dhe disa biznese do të fillojnë punën
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se zbutja e masave që do të fillojë më 4 maj do të vazhdojë të ndahet në faza, por krejtësisht varet nga situata epidemiologjike në vend.
Ai tha se edhe kur të bëhet zbutja e masave, për disa muaj të tërë qytetarët duhet të mësohen të jetojnë në një realitet të ri – së bashku me virusin, njofton Klan Kosova.
“Ka disa ditë që kurba është duke lëvizur teposhtë dhe përqindja ditore ka shënuar rënie. Por, pavarësisht kësaj është vështirë të thuhet se është koha që ka filluar përmirësimi. Shpresoj që do të vazhdojë kjo ulje dhe më 4 maj do të fillojmë me zbutjen e masave të vendosura”.
“Edhe lirimin e masave jemi detyruar ta bëjmë në disa etapa. Në fillim edhe liria e lëvizjes e qytetarëve, pra koha kur do të dalin nuk do të jetë shumë më e gjerë ngase është tani. Ne mund të dyfishojmë orën e lëvizjes nga 1 orë e 30 minuta sa është tani”.
“Kjo është duke u diskutuar dhe mendojmë që ta bëjmë dy herë nga 90 minuta dhe njëra të bëhet nga ora 10 deri më 16 për shërbimet e nevojshme.
Do të kenë mundësitë të dalin dy herë në ditë, ku njëra nga herët do të jetë në këtë orar dhe për këtë arsye nuk do të ketë rotacion”.
Vitia në Rubikon tha se gjatë periudhës së fazës së parë që është nga 4 maj deri më 18 maj krahas lehtësimit të masave janë edhe protokollet tash e tutje, veçanërisht për bizneset që do të hapen.
“Disa biznese që ndikojnë drejtëpërdrejt te jeta e qytetarëve siç është ndërtimtaria, por edhe aty do të ketë shumë protokolle që tashmë janë hartuar. Sipas tyre distanca fizike dhe masakat do të jenë të obligueshme”.
“14 ditë është periudha e inkubacionit, para fundit të kësaj IKPSHK del me një analizë për situatën epidemiologjike dhe në bazë të saj merren vendimet për fazën e ardhshme”.
Vitia tha se qytetarët në masë të madhe kanë respektuar masat, prandaj edhe ka sukses në trajtimin e pandemisë.