Debati i hapur për krimet e luftës mund të dobësojë pozicionin negociues të Kosovës me Serbinë
Ditëve të fundit në Kosovë është hapur një debat i cili është cilësuar si i panevojshëm dhe i dëmshëm. Ai i krimeve të luftës.
Ishte tashmë ish-këshilltari kontravers i kryeministrit në detyrë, Shkëlzen Gashi ai i cili në një studio televizive tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vrarë mbi 1000 serbë civilë të pafajshëm, shkruan lajmi.net.
Pas presionit të madh në opinion, kryeministri në detyrë Albin Kurti u detyrua ta lirojë nga detyra Gashin, me arsyetimin se ky i fundit debatin e nisur është më mirë mos ta bëjë nga pozita e këshilltarit politik të tij.
Deklarata e Gashit bëri jehonë edhe në mediat serbe të cilat Gashit i referoheshin si zyrtar shtetëror, ndërsa në Kosovë u organizua protestë nga ballkonet e shtëpive dhe banesave.
Por, përveç dimensionit lokal shtetëror në Kosovë, këto deklarata mund të kenë ndikim edhe në dialogun Kosovë – Serbi sipas njohësve të kësaj çështje.
Profesori universitar dhe njohësi i politikave të jashtme, Arben Fetoshi për lajmi.net tha se debati i hapur tregon mungesë e sistemit të vlerave, derisa i ka konsideruar si shumë të dëmshme deklaratat.
“Debati i shkaktuar nga dy deklarata të papërgjegjshme dhe reagimi i fortë publik janë dëshmi e mungesës së një sistemi të vlerave, të cilin e kërkon shoqëria dhe po e pengon elita. Për mua që të dyja janë tejet të dëmshme dhe implikojnë ngarkesë politike, pavarësisht se vinin nga pozicione të ndryshme, pra nga një këshilltar i kryeministrit, i cili u shkarkua më pas dhe nga një opinionist i njohur për afërsi me presidentin e vendit, ndaj të cilit po ashtu reagoi vetë presidenti.”, tha Fetoshi për lajmi.net.
Më tutje Fetoshi tha se krimet e luftës si temë do të jenë pashmangshëm pjesë e dialogut. Ai thotë se deklarata e Shkelzen Gashit duke iu referuar pozitës zyrtare do të përdoret nga Serbia, duke shtuar se edhe deklarata e Baton Haxhiut mund të përdoret si mjet për relativizimin e situatës.
“Tema e krimeve të luftës është pashmangshëm pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë kontekst deklaratat e tilla e dobësojnë pozicionin e Kosovës. E para ishte skandaloze për shkak se e relativizon krimin e forcave serbe gjatë luftës dhe u përdor menjëherë nga Serbia duke iu referuar pozitës zyrtare të Shkelzen Gashit, kurse e dyta, ndonëse autori kërkoi falje dhe e sqaroi më pas, mund të përdoret për t’ia lehtësuar pozicionin negociator Serbisë, e cila duhet të përballet me të kaluarën e vet kriminale në raport me Kosovën. Prandaj, mendoj që reagimi publik dhe debati medial që pasoi duhet të jenë mesazh i qartë për politikën në qëndrimin zyrtar gjatë procesit.”, tha Fetoshi.
Më tutje, gazetari dhe analisti Valon Syla ka thënë se ka pasur një tendencë nga krimet e luftës të futen si temë e dialogut gjatë qeverisë Haradinaj 2, dhe të negociohet mundësia e amnestisë së pjesëshme.
“Ka pasur një tendencë nga Qeveria e Kaluar Haradinaj 2, që krimet e luftës të bëhen pjesë e bisedimeve, dhe të shikohet mundësia e futjes së kësaj teme në agjendë, me qëllim që të testohet edhe negocimi i amnestisë së pjesëshme krimeve të luftës, nga të dyka palët.”, tha Syla.
Më tutje, ai tha se kjo tendencë ishte kundërshtuar ashpër nga SHBA-të dhe BE-ja.
“Por, kjo tendencë atë kohë, që i bjen para përafërsisht 1 viti, ishte ndaluar nga vet sponzori i bisedimeve tash që nga diplomacia amerikane dhe ajo evropiane. Sigurisht, ju kujtohet angazhimi amerikan dhe i ambasadorëve në Prishtinë dhe Beograd të cilët nisën një fushatë me moton se krimet e luftës nuk falen dhe duhet të dënohen nga të dyja anët. Kjo ka pasuar me vizitën e Krasniqi Goodman në Kongres dhe fjalimi i saj, si dhe aktivitete tjera lokale.”, tha Syla.
Më tutje, ai tha se krimet e luftës nuk mund të negociohen midis Kosovës dhe Serbisë pasi sipas tij shumica e partive politike nuk pajtohen për këtë, por as diplomacia amerikane.
“Krimet e Luftës, edhe nëse ka dëshirë dikush, nuk mund të negociohen në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, për dy arsye. Arsyja e parë është që shumica e partive politike nuk pajtohen me këtë. Së dyti, diplomacia amerikane që janë edhe sponzorë e ndërmjetësues kryesor të bisedimeve nuk marrin përgjegjësi që i takojnë drejtësisë ndërkombëtare sipas të gjitha konventave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht nuk e lejojnë të jetë pjesë e agjendës.”, tha Syla.
Më tutje në fund Syla tha se Konventat ndërkombëtare në esencë nuk parashohin amnesti për krime të luftës, përveç në raste të veçanta për ushtarë, ose staf i cili nuk ka pasur vendimarrje dhe përgjegjësi zingjirore, apo komanduese në luftë apo gjatë luftës.