Francë, kryeministri Philippe njofton planin për hapjen graduale të vendit
Shkollat në Francë do të rihapen në mënyrë shumë graduale duke nisur nga 11 maji për kopshtet dhe arsimin fillor dhe nga 18 maji për kolegjet, njoftoi kryeministri Edouard Philippe.
”Përsa i përket kolegjeve, ku përdorimi i maskave do të bëhet i detyrueshëm, hapja do të bëhet vetëm në rajonet më pak të prekura nga COVID-19”, theksoi Philippe para deputetëve francezë duke shtuar se një vendim mbi shkollat e mesme do të merret në fund të majit.
“Tregjet, përveç kafeneve dhe restoranteve, do të hapen në Francë duke nisur nga 11 maji, me masa mbrojtëse shëndetësore, ndërsa kinematë, teatrot dhe muzetë e mëdhenj do të mbeten të mbyllura”, njoftoi kryeministri, Edouard Philippe.
Philippe theksoi se do të kishte mjaftueshëm maska në vend për t’i bërë ballë nevojave duke nisur nga 11 maji, datë e parashikuar për fillimin e heqjes graduale të kufizimit në Francë, një prej vendeve më të prekura nga pandemia e COVID-19.
“Ne po marrim rreth 100 milionë maska kirurgjikale në javë tashmë dhe ne do të marrim rreth 20 milionë maska shumpërdorimshe që mund të lahen duke filluar nga maji”, deklaroi Philippe para deputetëve duke shtuar se personeli arsimor dhe nxënësit do të marrin maska.
“Franca do të kryejë çdo javë 700 000 teste për personat që shfaqin simptoma të koronavirusit duke nisur nga 11 maji, data e fillimit të heqjes graduale të kufizimit në vend dhe do të propozojë izolimin e rasteve pozitive”, tha ai.
“Sezoni 2019-2020 i sporteve profesionale, vaçanërisht ai i futbollit nuk do të mund të rifillojë”, theksoi Philippe.
“Të gjitha ngjarjet që përfshijnë më shumë se 5 000 pjesëmarrës nuk do të mund të zhvillohen para muajit shtator”, shtoi kryeministri francez para deputetëve.