Pesë raste me COVID-19 në Prizren
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 17 raste të reja me koronavirus dhe 35 persona të shëruar, me çka bilanci i përgjithshëm i të prekurve me këtë sëmundje arrin në 780.
Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 226 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, prej të cilave me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej 17 raste.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit: 5 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Prizren, 1 rast Hoçë e Qytetit, 1 rast Piranë, 1 rast Arbanë dhe 1 rast Lubizhdë), Komuna e Leposaviqit: 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Leshak dhe 1 rast Leposaviq), Komuna e Podujevës: 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Llapashticë e poshtme dhe 1 rast Podujevë) dhe nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë, Plavë-Dragash, Kotradiq-Pejë, Runjevë-Kaçanik, Reti e poshtme-Rahovec, Suharekë dhe Zveçan.
Sot janë shëruar edhe 35 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 201 raste.
Sot nga Klinika Infektive është raportuar një rast të vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 53-vjeç me vendbanim në Kotradiq-Pejë dhe i konfirmuar me COVID-19 më datë 27.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive më datë 27.04.20 në gjendje shumë të rëndë dhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Nga data 08 shkurt deri sot, janë testuar gjithsej 6.705 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 780 raste, ndërsa gjithsej 22 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më sot, sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3 milionë e 50 mijë e 584 raste të COVID-19 dhe 210.625 vdekje.