Selimi: Thaçi po vazhdon ta shfrytëzojë LDK-në të arrijë marrëveshjen me Serbinë
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se presidenti Thaçi po vazhdon ta shfrytëzojë Isa Mustafën dhe LDK-në që të vazhdojë mandatin dhe të arrijë marrëveshjen me Serbinë.
Ai thotë se Thaçi disa herë ka shkelur Kushtetutën, derisa sipas tij po tentohet që të shkelet ajo derisa të ndryshohet kur të arrihet një marrëveshje me Serbinë.
“Disa herë Thaçi ka shkelur Kushtetutën, tashmë është anashkaluar fituesi i zgjedhjeve. Këto letra nuk e zëvendësojnë procedurën që presidenti duhet ta ndjekë. Ai po vazhdon këto t’i zëvendësojë me disa letra. Këta e dinë se tashmë e kanë shkelur Kushtetutën, dhe këtë po mundojnë ta shkelin derisa të arrijnë te marrëveshja me Serbinë. Nëse këta arrijnë të suprimojnë Kushtetutën, derisa të arrijnë në cakun tjetër me marrëveshjen me Serbinë, pasi në një rast të tillë të marrëveshjes do të ndryshohej edhe Kushtetuta. Nga bashkëbisedues ata janë kthyer në bashkëpunëtorë të Vuçiqit”, ka thënë Selimi në KTV.
Selimi është i bindur se ka një plan mes presidentit të Kosovës Hashimi Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, kjo marrëveshje ndër të tjera parasheh edhe amnistimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia, me kush që siç tha Selimi, të amnistohet vet Thaçi nga Gjykata Speciale.