Rexhep Selimi ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit: S’mund ta dëmtoj UÇK-në
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, më në fund ka reaguar ndaj deklarimeve të Shkelzen Gashit i cili akuzoi UÇK-në se ka kryer krime.
Ai thotë se asnjëherë nuk është pajtuar me deklarimet e Gashit, por se kësaj bisede i ka dhënë epilog kryeministri, Albin Kurti, me shkarkimin që i ka bërë.
“Kësaj bisede i ka dhënë epilog vet kryeministri duke e liruar nga detyra. Ka qenë një frymë reaguese edhe qytetarëve edhe nga pozita të ndryshme drejt deklaratës së tij. Unë asnjëherë nuk jam pajtuar as nuk pajtohem me qëndrimin e tij. Gashi nuk ka të drejtë as kur jep shifra, as kur konstaton krimet e supozuara të UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, sepse ai nuk i ka mbështet as në statistika, as në fakte qëndrimet e tij”, ka thënë Selimi në KTV.
Ai ka shtuar se nuk është hera as e parë, as e dyta, as e treta është deklaruar vite me radhë, qëndrime të njëjta, dhe se as atëherë dhe as tani nuk është pajtuar me të.
“Edhe po të donte Gashi, nuk mund ta dëmtoj UÇK-në. Gashi s’ka të drejtë çfarë ka thënë, ato që i ka thënë janë të pasakta, kësaj i ka dhënë epilog kryeministri me lirimin e tij nga detyra”, ka thënë Selimi.