Formimi i Qeverisë së re – Mustafa kërkon kthimin e Pacollit në Kosovë
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka kërkuar që kreut të AKR’së, Behgjet Pacollit të ju mundësohet që të kthehet në Kosovë.
Mustafa ka bërë të ditur se bisedimet për koalicionin po shkojnë mirë, e po i zhvillon kandidati për kryeministër Avdullah Hoti. Deri më tani, sipas tij ende nuk është vendosur për ndarje të ministrive brenda Lidhjes Demokratike.
I propozuari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka disa ditë që po i vazhdon bisedimet me partitë me të cilat po tentojnë formimin e koalicionit të ri qeverisës.
Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express, lideri i LDK’së, Isa Mustafa, që ka shtuar se bisedimet për koalicionin janë duke shkuar mirë.
“Bisedat po i zhvillon kandidati ynë për Kryeministër, z. Hoti. Jam i informuar qe po shkojnë mirë”, ka deklaruar kreu i Lidhjes Demokratike.
Ani pse në media tashmë janë publikuar disa prej emrave potencial për ministra, lideri i LDK’së, tha se deri më tani nuk ka diçka të re për ndarje të ministrive. Për to, sipas tij do të vendoset në mbledhje të kryesisë së partisë.
“Deri tani asgjë nuk ka për ndarje te ministrive brenda LDK-së. Për to do të vendosim në Kryesi të LDK-se, sipas propozimit inicial te kandidatit për kryeministër”, ka deklaruar ai.
LDK pritet që këto ditë të mblidhet për të finalizuar listën e emrave që do të propozojnë në dikastere.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje që t’i mundësohet kthimi në vend, liderit të AKR’së, Behgjet Pacollit. Me AKR’në, Mustafa tha se mund të punojnë së bashku.
“Sa i përket z. Pacolli, atij duhet ti mundësohet kthimi në Kosovë si deputet dhe përfaqësues i popullit. Ne e llogarisim AKR-ne si subjekt me të cilin edhe në pikëpamje programore por edhe në aspektin e filozofisë ekonomike mund të punojmë bashkë”, ka deklaruar ai.
Kjo deklaratë e Mustafës vjen pasi që sot gjatë ditës kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli ka marrë leje për t’u kthyer në Kosovë. Deri më tani, partia e tij nuk ka dhënë sinjale se mund të bëhen pjesë e koalicionit të ri.
Pas kërkesës së tij në Ministri të Infrastrukturës, ka reaguar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia që tha se Pacolli do të futet dy javë në karantinë, nëse hyn në territorin e Kosovës.