Anulohen aktivitetet për Ditën e të Pagjeturve për shkak të koronavirusit
Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë dhe Marshi Përkujtimor në Prishtinë, si aktivitete të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të pandemisë COVID-19.
Kjo është bërë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999 Mejë’.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me KKAFZHDK dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999, Mejë, ftojnë familjarët e personave të zhdukur dhe gjithë qytetarët që përkujtimi dhe homazhi për të zhdukurit dhe gjithë të rënët për lirinë e vendit, këtë vit, të bëhet duke respektuar masat e caktuara nga institucionet kompetente në parandalimin dhe luftimin e pandemisë, përmes të cilave ndër të tjera ndalohen edhe tubimet në masë”, thuhet në njoftimin e këtij komisioni.
27 Prilli shënon përvjetorin e Masakrës së Mejës së Gjakovës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur me vendim të Kuvendit në nderim të viktimave të kësaj masakre dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e luftës në Kosovë, përkujton se në luftë nuk ka humbje më të madhe se sa rrëmbimi dhe zhdukja e më të dashurve.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur premtojnë se do të vazhdojnë të jenë në angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme që familjeve të personave të zhdukur t’ua lehtësojmë barrën e pritjes dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.
“Me këtë rast i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.”
Ndryshe, edhe 1641 persona, vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.