Xhavit Haliti: Deklaratat e këshilltarit të Kurtit për UÇK-në janë shpifje
Anëtari i PDK-së dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti ka reaguar ndaj këshilltarit të kryeministrit, Shkëlzen Gashi.
Haliti ka shkruar në Facebook se asnjë raport ndërkombëtar nuk ka nxjerrë përfundime se UÇK-ja ka kryer krime të luftës.Ai ka thënë se pas akuzave të Gashit prokuroria e Kosovës dhe ajo e Gjykatës Speciale duhet të ndërmarrin veprime hetimore.
“Asnjë raport kredibil ndërkombëtar nuk ka nxjerrë përfundime se UÇK ka kryer krime të luftës. Mbi bazën e dyshimeve, ëshë ngritur Gjykata Speciale. Ajo është institucioni i vetëm kredibil i drejtësisë, që mund të ngritë akuza, duke i mbështetur ato në fakte, larg çdo anshmërie. Në këtë drejtim, pas akuzave publike të Shkelzen Gashit, prokuroria e Kosovës si dhe ajo e Gjykatës Speciale duhet të ndërmarrin veprime të shpejta hetimore”, ka shkruar Haliti.
Ai ka thënë se akuzat e Gashit mbesin vetëm shpifje që tentojnë të njollosin luftën çlirimtare.
“Deri në shpallje gjykimesh të plotfuqishme nga Specialja, akuzat e Gashit mbeten vetëm shpifje. Përmes tyre tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ato i provokojnë në mënyrë flagrante dhe i lëndojnë ndjenjat e themeluesve, drejtuesve, pjesëtarëve dhe mbështetësve të saj, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Në institucionet e shtetit të Kosovës, i cili qëndron mbi sakrificat sublime dhe luftën e UÇK-së, individët e tillë janë tërësisht në vendin e gabuar”, ka shkruar ai.