Ministrja Haxhiu: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, kriminelët do të dalin para drejtësisë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar duke e mbrojtur këshilltarin e Kurtit, Shkëlzen Gashi.
Gashi kishte thënë se UÇK-ja është kriminale dhe ka vrarë 1000 serbë.
Ndërsa, Haxhiu duke i dalë në mbrojtje deklaratës skandaloze të Gashit, ka sulmuar qeveritë e kaluara.
Reagimi i plotë:
Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Kauza e popullit shqiptar për çlirim e pavarësi ka qenë e drejtë. Gjykata Speciale ka qenë gabim dhe e dëmshme, e cila ka vendosur paralele në mes të Kosovës dhe Serbisë për krimet e luftës. Ata që e kanë votuar këtë Gjykatë i kanë bërë dy goditje të mëdha shtetit të Kosovës, duke goditur luftën çlirimtare dhe duke goditur sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Pushtetet e kaluara asnjëherë s’i kanë trajtuar seriozisht krimet e luftës, i kanë lënë pa kapacitete institucionet e drejtësisë por qeverisja jonë ka zotime të qarta në këtë drejtim.
Krimet e luftës nuk mund të vjetërohen dhe kriminelët do të dalin para drejtësisë!