Prishtina pritet të dalë nga karantina në ditët vijuese
Prishtina pritet që në ditët në vazhdim të dalë nga karantina. Kjo masë mund t’i largohet nëse nuk do të ketë raste të reja me Covid-19, dhe pas miratimit të MSH-së.
Por edhe nëse kryeqyteti do të dalë nga karantina, masat e tjera mbesin në fuqi deri në një vendim tjetër.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane thotë se duhet hartuar plani për rimëkëmbjen ekonomike
Hyrjet e kryeqytetit janë të bllokuara nga policia.
Këtu lejohen të hyjnë vetëm ata që kanë leje të veçantë qarkullimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por 26 patrullat policore që po monitorojnë hyrjet e daljet nga Prishtina pritet që deri të shtunën të largohen.
Kjo pasi që kryeqyteti pritet që të dal nga karantina për shkak të rënies së numrit të të infektuarve me virusin korona.
Këtë e konfirmon edhe nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi.
Por, pavarësisht kësaj masat tjera të kufizimit të lëvizjes të ndërmarra nga qeveria e Kosovës pritet që të mbesin në fuqi.
E pasojën e karantinimit të kryeqytetit më së shumti e kanë përjetuar bizneset e ndryshme në Prishtinë.
Për këtë arsye, largimin nga karantina po e cilëson si lajm mjaft të mire drejtori ekzekutiv i Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Zeka thotë se duhet hartuar një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, cila do që të jetë ajo.
Ndryshe qeveria e Kosovës ka miratuar pakon emergjente fiskale për ti ndihmuar bizneset nga pasojat e pandemisë COVID 19.