Ferrari kërcënon me tërheqje nga Formula 1
Drejtuesit e Ferrarit kërcënojnë për t’u tërhequr nga bota e Formulës 1.Pavarësisht situatës shumë të vështirë që është krijuar nga pandemia e virusit COVID-19 në sportin më të shpejtë të automobilizmit vazhdojnë polemikat në lidhje me rregullat e reja, që pritet të reduktojnë ndjeshëm buxhetin e të gjitha skuadrave pjesëmarrëse.
Një limitim i shpenzimeve do t’i bënte vërtet shumë mirë këtij sporti, duke përafruar në mënyrë të dukshme ekipet për nga niveli dhe performanca, për të rritur ndjeshëm kompetitivitetin në Formula 1, megjithatë në mënyrë të kuptueshme një ndryshim i tillë ka hasur në qëndresën e fortë dhe kundërshtimin e disa prej skuadrave kryesore të këtij kampionati.Kështu ka mosmarrëveshje mes tre skuadrave më të rëndësishme të Formulës 1, sepse Ferrari dhe Red Bulli nuk kanë ndër mend të lëshojnë akoma më tepër në diskutimin për uljen e buxhetit, në një kohë kur ekipi Mercedes është i gatshëm për të bashkëpunuar, për të reduktuar shpenzimet, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesat e skuadrave të tjera, më pak të fuqishme.
Në një situatë të tillë drejtuesit e skuderisë së famshme italiane kanë dalë hapur publikisht, duke kërcënuar edhe me një largim të mundshëm nga Formula 1. Aktualisht ky sport është zhytur në një krizë të thellë financiare, për shkak të pandemisë së koronavirusit, që për pasojë ka shtyrë startin e edicionit të 71 të botërorit të Formulës 1, duke shtyrë rrjedhimisht edhe nëntë garat e para të sezonit.
Mbi të gjitha askush nuk është në gjendje për të thënë se kur do të fillojë me saktësi kampionati I vitit 2020 dhe sa gara do të përmbajë edicioni i sivjetshëm, gjithsesi nga ana e tyre një pjesë e mirë e skuadrave po mendojnë për forma të tjera të reduktimit të kostove, për të mbijetuar në një sport që sic dihet është vërtet shumë i kushtueshëm.
Limiti i 160 milionë eurove u thye dhe u vendos zbritja në shifrën e 135 milionëve për vitin 2021, megjithatë Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit si dhe drejtuesit e disa prej skuadrave pjesëmarrëse, me në krye shefin e McLaren Racing, 48-vjecarin kalifornian Zak Brown, kanë kërkuar që shpenzimet të reduktohen akomë më tepër, duke I kufizuar ato deri në shumën e 90 milionë eurove.Në lidhje me një temë të tillë bëri publik mendimin e tij vetë shefi i Ferrarit Mattia Binotto, që në një intervistë për “The Guardian” shpjegoi se kërkesa e bërë për të zbritur deri te 135 milionë eurot është shumë e ndryshme krahasuar me nivelin e përcaktuar qershorin e vitit të kaluar, që fiksoi shifrën 160 milionë si limit për të gjithë ekipet.
Sipas tij një ndryshim i tillë lidhet me dicka që nuk mund të arrihet pa sakrifica të mëdha në aspektin njerëzor. Një vendim I tillë për inxhinierin italian mund ta shtrëngojë Ferrarin për të studiuar mundësi të tjera, ku të dalë në pah më së miri ADN e këtij ekipi dhe shpirti I vërtetë I garës që ka skuadra nga Maranello. Ferrari përfaqëson të vetmin ekip që figoron në cdo kampionat të Formulës 1, duke filluar që nga edicioni hapës që është zhvilluar në vitin e largët 1950. 50-vjecari I lindur në Lozanë të Zvicrës beson se në kushte të tilla është koha për të braktisur anijen, gjithsesi Binotto mendon se një vendim kaq I rëndësishëm si ky I uljes së buxhetit nuk mund të merret në një formë të nxituar.Shefi i Ferrarit deklaroi se në Formula 1 ka skuadra të të gjitha llojeve, me karakteristika jo të njëjta, që punojnë në vende të ndryshme, në bazë të një legjislacioni të ndryshëm dhe me forma të vecanta pune. Mattia Binotto tha se nuk është e lehtë për të bërë ndryshime thelbësore në strukturë, thjesht duke reduktuar shpenzimet e skuadrave në mënyrë lineare.
Ai pranon se të gjithë janë të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë që po kalon jo vetëm Formula 1 por i gjithë globi për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, kështu që sipas tij nuk është ky momenti për të reaguar në këtë mënyrë, sepse ekziston rreziku që të merren vendime pa I vlerësuar sic duhet të gjitha pasojat që mund të shkaktojë.Binotto qartësoi se një vendim i tillë mund të sjellë për pasojë edhe shkurtimin e shumë vendeve të punës, kështu që ai do të bëj çmos për të mbrojtur personelin që ka në dispozicion. 50-vjeçari italian mendon se nëse aprovohet idea e propozuar nga shefi i McLarenit Zak Brown për të limituar buxhetin deri në atë pikë, atëherë Formula 1 rrezikon për të rënë shumë si nivel, në një kohë kur ky sport sipas tij duhet të përfaqësojë lokomotivën e automobilizmit, që tërheq prodhuesit e ndryshëm të makinave si dhe sponsorët e shumtë anembanë rruzullit. /SS/