Dumoshi nënshkruan memorandume me dhjetë federata
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me dhjetë federata sportive.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media.
“Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dhjetë federata sportive. Konkretisht, memorandumet u nënshkruan me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, Federatën e Boulingut, Federatën e Aeronautike, Federatën e Body-Buildingut dhe Fitnesit, Federatën e Autosporteve, Federatën Sportive të Punëtorëve, Federatën e Peshëngritjes, Federatën e Muay Thai, Federatën e Minigolfit dhe Federatën e Kik-Box-it të Kosovës”.
Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë drejtuesit e federatave përkatëse.
Këto marrëveshje mes MKRS-së dhe federatave bëhen më qëllim të përkrahjes financiare për federatat sportive për të realizuar objektivat dhe synimet që ato kanë planifikuar për këtë vit.
Të gjitha këto memorandume bazë ligjore kanë rregulloren për kategorizim dhe vendimin e ministres Dumoshi për caktimin e vlerës së pikëve.
Ministrja Dumoshi, fillimisht i priti në takim të përbashkët drejtuesit e federatave dhe i informoi për sfidat që do të ballafaqohet vendi ynë konkretisht edhe sporti, ajo iu premtoi që MKRS do të bëjë të pamundurën që t’u gjendet afër federatave edhe pas nënshkrimit të këtyre memorandumeve, shumë shpejt MKRS-ja do të transferojë në xhirollogaritë e federatave këstin e parë (tremujorin e parë) që federatat të kenë mundësinë të konkretizojnë fillimin e planit që kanë për këtë vit, tha ndër të tjerash ministrja Dumoshi.
Ministrja Dumoshi gjithashtu dëgjoi për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe një gjë që u theksua ishte çështja e rregullores për kategorizimin e sporteve.
“Në këtë kohë të vështirë pandemie që po kalon vendi dhe gjithë bota jam e vetëdijshme që edhe federatat në vendin tonë po kalojnë një fazë të vështirë dhe ne si MKRS jemi maksimalisht të angazhuar që t’ju ndihmojmë për të lehtësuar barrën me të cilën përballeni secila federatë. Dua t’u informoj se edhe rregullorja për kategorizim është në planin legjislativ të sivjetmë për plotësim-ndryshim”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Po ashtu, ministrja u shpreh se sporti dhe federatat do të kenë kujdesin dhe vëmendjen maksimale të ministres dhe MKRS-së.
Ministrja Dumoshi kërkoi nga të gjithë sportistë që të tregohen të kujdesshëm për shëndetin dhe nëpërmjet drejtuesve të federatave porositi që në bazë të mundësive, sportistë të përgatiten vazhdimisht ashtu që të rikthehen fuqishëm drejt sukseseve e fitoreve të reja.
Ndërkaq, drejtuesit e federatave e falënderuan ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin për sportin.
Ata u shprehën se do të vazhdojnë të angazhohen për të qenë të gatshëm që me kalimin e pandemisë t’i kthehen edhe më fuqishëm garave dhe sukseseve.