KEK po realizon shpime në Kuzmin për potenciale të qymyrit
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se për qëllim të hulumtimeve gjeologjike dhe gjeomekanike të masave potenciale të qymyrit në zonën e mundshme të eksploatimit linjitit (zona ashtuquajtur Jug), KEK është duke realizuar një program të shpimeve hulumtuese në disa sipërfaqe shumë të kufizuara në zonën kadastrale të Fushë Kosovës.
KEK thotë se shpimet po bëhen sipas vendimit të Qeverisë nr. 10/57,.
“Për realizimin e këtij programi është lëshuar edhe licencë hulumtuese nga Komisioni Pavarur i Minierave dhe Mineraleve (KPMM)”.
“Duke pasur parasysh se gjatë realizimit të këtij programi nevojitet qasja edhe në disa prona private, që nga fillimi i këtij aktiviteti është formuar komisioni i veçantë nga KEK-u që merret me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve eventuale që mund të shkaktohen për pronarët privatë”.
“Në parim, të gjithë pronarët njoftohen paraprakisht rreth aktiviteteve eventuale në pronat e tyre private. Në lidhje me këtë, konkretisht në fshatin Kuzmin, nesër me 24.04.2020, ora 10, është caktuar një takim me të gjithë banorët të cilët potencialisht mund të afektohen nga ky aktivitet, lidhur me procedurat e kompensimit të dëmeve eventuale”.